Një fjalë e thënë në vendin e gabuar mund të të kushtojë shumë. Këtë do ta mësojë mjaft mirë mbrojtësi i Partizanit, Blerim Kotobelli. Deklaratat e tij në “newsport.al” kundër klubit të kuq, në lidhje me rrogat e pamarra, do t’i kushtojnë shumë. Lojtari i linjës së majtë është gjobitur keq nga klubi i kuq.
Kryeqytetasit kanë depozituar shkresën për gjobë prej 7000 mijë eurosh për Kotobellin. Shkresa është depozituar edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo masë u mor për shkak të thyerjes së disiplinës së klubit duke folur pa leje në media, por dhe për shkak të prishjes së imazhit të klubit, shkruan “Panorama Sport”.
“Sport Ekspres” u lidh me klubin e kuq në lidhje me vërtetësinë e lajmit dhe nuk ka një sqarim të saktë. Zëdhënësi i klubit, Olsi Ranxhi, u shpreh: “Nuk e di nga dalin këto lajme, por janë çështje të brendshme të klubit. Nuk ka asnjë reagim nga Partizani”, – u shpreh ai.