Të shohësh ndeshjet në këmbë, pa shqetësuar spektatorët e tjerë në tribuna. Tashmë, kjo do të jetë e mundur në stadiumin e Uajkombes. Klubi që luan në Ligën e Parë (Kategoria e Tretë angleze), ka instaluar ulëse speciale, të quajtura “2020”. Ato i lejojnë tifozëve ti shijojnë ndeshjet në këmbë, pa penguar fansat që ulen në rreshtin pas tyre.
Një mënyrë për ti ndjekur takimet sipas dëshirës, të ulur ose në këmbë. Gjithçka në siguri të plotë. Projekti u realizua falë dezajnit të studiuar nga modeli i ulëse në teatër. Megjithatë, ulëset e reja, të cilat janë instaluar në tribunat e stadiumit, nuk do të mund të shfrytëzohen prej kësaj fundjave.
Përpara inaugurimit, klubit të Uajkombes i nevojitet leja përfundimtare nga autoritetet. Pronari i klubit, Trevor Strud tha me krenari: “Jemi të lumtur, që bëhemi skuadra e parë e cila ka instaluar këtë model ulësesh për tifozët”. Një vendim, i cili konfirmon dëshirën e klubit, që të rikthejë modelin e vjetër të ndjekes së ndeshjeve në këmbë, ashtu si ndodhte në një pjesë të madhe të stadiumeve angleze.
Ideja është huazuar nga Shrevsbëri, që e ka vënë në zbatim një projekt të ngjashëm në fillim të sezonit, por edhe nga Sëlltik në Skoci, që e ka shndërruar “Sëlltik Park” në një impiant tejet të zjarrtë gjatë ndeshjeve të skuadrës. Prej vitit 1989, pas incidentit në Hillsboru, qeveria vendosi me ligj, që në stadiumet e dy kategorive më të larta të futbollit anglez, ndalohej që tifozët të kërcenin në tribuna. Por, me stadiumet e reja dhe rritjen e masave të sigurisë, ky ligj mund të ndryshojë, për ti shijuar ndeshjet sërish në këmbë, ashtu si ndodhte 30 vjet më parë.