Kur thuhet që infrastruktura është thelbësore për një klub futbolli, nuk thuhet sa për të bërë populizëm e për të bërë si interesant. E vërteta është se çdo klub futbolli duhet të ndërtohet duke nisur nga stadiumi, fushat e stërvitjes dhe nga puna me fëmijët. Këto gjëra klubet tona i harrojnë, ose i bëjnë gjysma-gjysma dhe pasojat i vuajnë me kalimin e viteve.
Tashmë që pak a shumë dihet cilat klube do të luajnë në kupat e Europës, nis planifikimi për ndeshjet e verës dhe dy klube janë pa shtëpi.
Kukësi ka një stadium mediokër dhe nuk bëhet fjalë që të luajë ndeshje për kupat e Europës atje, ndaj do t’i luajë ndeshjet ndërkombëtare në “Loro Boriçi”, një risi, sepse më parë kishte luajtur në Tiranë e Elbasan.
Ndërkaq, Luftëtari është një hap larg Europës dhe do të regjistrojë “Elbasan Arenën” për ndeshjet ndërkombëtare.
Skënderbeu, nëse shkon në kupat e Europës, e ka stadiumin në rregull për turet e parë, ashtu si Laçi e Partizani (luan në “Selman Stërmasi”), me kurbinasit që meritojnë një lavdërim të veçantë, sepse kanë një stadium të vogël, por brenda parametrave të UEFA-s.