Rexhinaldo ende nuk ka vendosur për të ardhmen, ndoshta edhe po, por problemi është kontrata që ka me Laçin. Ai, por edhe klubet që e duan kanë menduar se Laçi do eliminohej nga Europa League. Ndodhi ajo që nuk pritej dhe kurbinasit pas triumfit 1-0 me Anorthosis kaluan më tej.
Ky kualifikim nuk i shkon për shtat Rexhinaldos, autorit të 18 golave me bardhezinjtë në kampionat. Futbollisti nga Mozambiku kishte firmosur me Laçin për një sezon, por në kontratë ka të përfshirë edhe një klauzolë për vijimin e bashkëpunimit edhe në ndeshjet e kupave të Europës.
Me kualifikimin e Laçit, Rexhinaldo ende nuk është një lojtar i lirë dhe do duhet të presë, ose të paguajë për lejekalimin. Kukësi, Flamurtari apo klubi që e do në Azerbajxhan ende nuk mund të nënshkruajnë me sulmuesin.