Trajneri Egbo vazhdon të mbetet ende si kampioni në fuqi i Superiores, deri në momentin që të jepet verdikti përfundimtar i këtij sezoni shumë konkurrues në elitën e futbollit tonë. Por si ka ardhur ky teknik në vendin tonë, cilat janë mbresat e tij dhe çfarë i bënë përshtypje më tepër nga shqiptarët?
Për këtë arsye, Egbo ishte i ftuar në “Opinion” që transmetohet në “Klan”, atje ku ka folur së bashku me disa të huaj të tjerë që jetojnë në vendin tonë. Duke e nisur historinë pasi tregoi mënyrën sesi mbërriti në Tiranë, Egbo tregon edhe pjesën që e çmend më shumë te shqiptarët.
“Në 21 shtator mbush 20 vite që kam ardhur në Shqipëri. Erdha nga Egjipti, isha futbollist në një ekip atje pasi shkova nga Nigeria. Atë kohë ishte presidenti i klubit të Tiranës, El Sayed, që ishte edhe presidenti i klubit tim në Egjipt. Kur më mbaroi kontrata atje, erdha direkt në Shqipëri. Nuk dija asgjë për Shqipërinë, isha i befasuar në fakt pasi kisha një ofertë në Afrikën e Jugut, por presidenti i Tiranës më ofroi më shumë para.
Nuk e di se çfarë ka Shqipëria që të mban këtu, ka atë sjelljen, mikëpritjen, ka diçka edhe në anën shpirtërore. Pak a shumë siç ishte një shprehje në Egjipt: “Nëse vjen e pi njëherë ujë këtu, do të kthehesh prapë një ditë”. Kështu, nëse vjen për të jetuar në Shqipëri për 2-3 vite, e nëse do largohesh për në një tjetër shtet, sërish do të vish në Shqipëri se të tërheq diçka. Me mua janë treguar shumë mikëpritës, pavarësisht në ndonjë rast të veçantë, por 99% e shqiptarëve janë shumë mikëpritës. Madje mund të them se shqiptarët duan më shumë të huajin se shqiptarin vetë.
Çfarë nuk më pëlqen te shqiptarët? Nuk më pëlqen vetëm një fakt. Të huajt vijnë edhe e shijojnë shumë Shqipërinë. Nga ana tjetër kur kam folur me shumë njerëz në Shqipëri kam parë shumë negativitet pasi thonë: “Shqipëria është e mbaruar, nuk bëhet”. Por të huajt vijnë edhe e shijojnë shumë këtë vend. Kjo më çmend më shumë dhe dua të ndryshohet”, tha Egbo. /Sport Ekspres/