Kristjan Asllani ka zgjatur kontratën e tij me Interin deri në vitin 2028. Mesfushori shqiptar ka folur për kanalin zyrtar të klubit zikaltër pasi hodhi firmën në kontratë. Ai u shpreh se e ka pasur gjithmonë ëndërr të luante me fanellën e Interit. Asllani ka thënë se kjo zgjatje e marrëveshjes është një burim krenarie për të.
“Për mua ka qenë gjithmonë një ëndërr që të luaj me këtë skuadër dhe është gjithmonë nder që të vesh këtë fanellë. Kjo kontratë është një burim krenarie, por e marr si pikënisje: ka ende gjëra në të cilat kam për t’u rritur dhe përmirësuar. Unë stërvitem çdo ditë me kampionët dhe jam i lumtur që kam shokë të tillë. Ky rinovim vjen edhe falë ndihmës së tyre.
Sigurisht që jam rritur më shumë. Kur mbërrita isha ende një djalë 20-vjeçar, tani jam pothuajse 23. Jam rritur mendërisht, edhe si djalë jashtë fushës. Të kesh kampionë në krah vlen shumë, por mendoj se jam rritur në shumë mënyra”, ka thënë Kristjan Asllani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/