Partizani mori një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues në Champions League. Sfida në “Air Albania“ u mbyll me shifrat 1-1, duke lënë të kënaqur trajnerin Zoran Zekiç. Kroati ka folur për mikrofonin e “MCN TV“-së, ku është shprehur i kënaqur me paraqitjen që dhanë lojtarët e tij në fushën e lojës.
“Skuadra sot dha gjithçka çfarë kishte. Kishim përballë një kundërshtar që vinte me 13 ndeshje në këmbët e tyre. Në pjesën e parë bëmë presing ofensiv mjaft lart. Në të dytën kishim rastet tona, por nuk duhet të na vijë keq për atë që skuadra prodhoi në fushën e lojës. Jam i kënaqur me atë që lojtarët dhanë në fushën e lojës. Për ndeshjen e kthimit kemi 7 ditë për ta përgatitur. Do punojmë shumë për taktikat e ndeshjes.
Mendoj se lojtarët dhanë 100% të mundësive të tyre. Kishim vetëm 25 ditë për ta përgatitur ndeshjen. Mund të bënim mirë sa i përket anës së sulmit, por gjithçka na mbetet për ndeshjen e kthimit. Mund të bënim edhe më mirë, por isha i detyruar të ndryshoja sistemin e lojës, sepse Mehmeti shfaqi probleme. Kishim probleme në krahun e djathtë, sepse edhe Hadroji shfaqi probleme, pavarësisht se unë i fola gjatë gjithë të ishte i përqendruar të kundërshtari”, ka thënë Zoran Zekiç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/