Armando Broja arriti që të linte gjurmë sërish me ekipin e parë të Chelsea-t duke shënuar në miqësoren me Bournemouth. Sulmuesi shqiptar u aktivizua në pjesën e dytë, por sërish arrin që t’i marrë më të mirën minutave të pakta që po i jepen fillimisht nga trajneri Tuchel. Së fundmi futbollisti shqiptar ka folur për faqen zyrtare të Chelsea-t mbi stërvitjet me yjet që fituan Champion League në sezonin që lamë pas dhe njëkohësisht për golin e fundit që arriti të shënonte.
“Kam shumë ndjenja pozitive në këto përgatitje me Chelsea-n. Është klubi im i fëmijërisë, është klubi që kam dashur gjithmonë. Është fantastike që kam nënshkruar për 5 vite të tjera me këtë skuadër. Punojmë shumë në stërvitje, lojtarët janë shumë “të gjallë”, trajneri është shumë i mirë. Është edhe shumë qejf që të gjendesh mes këtyre lojtarëve dhe këtij trajneri, pozitive. Hapi më i mirë në karrierën time ka qenë huazimi te Viteshe.
Më maturoi më shumë si njeri dhe lojtar. Këtu flas për gjithçka si për futbollin dhe për faktin se kam jetuar vetëm. Prandaj e mendoi si hapin më pozitiv që kam marrë deri tani dhe ia dola me sukses atje. Goli ndaj Bournemouth? Ishte një mundësi fantastike që kisha në dorë. Jam shumë falënderues që më besuan. Unë punoj shumë çdo ditë, qëndroj me buzëqeshje dhe luaj në mënyrën time. Kjo është kryesorja që të vazhdosh të punosh. Ishte shumë bukur që arrita të shënoja”, tha Armando Broja. /Sport Ekspres/