Hysen Memolla ishte goditja e madhe e kësaj merkatoje. Lojtari i Kombëtares shqiptare ka firmosur me Egnatian, me të cilën synon të shkojë lart në “Abissnet Superiore”. Memolla ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ku ka treguar përshtypjet e tij të para për klubin dhe kampionatin shqiptar. Lojtari 30-vjeçar shprehet se futbolli në Shqipëri është rritur ndjeshëm, e madje shton se organizimi i Engatias është më i mirë se i disa klubeve të tjera, të cilat ai i ka parë nga afët në Europë
“Ndihem shumë mirë. Shpresoj të filloj me këmbën e mbarë. Si individ të jap maksimumin për ekipin dhe të arrijmë qëllimet tona. E vërteta është që kisha dëshirë të bëja një eksperiencë këtu në Shqipëri. Besoj që kampionati është rritur, niveli është rritur. Nuk besoj se është një kampionat inferior në krahasim me kampionatet e tjera. Kam pasur një përshtypje shumë të mirë. Klubi është organizuar mjaft mirë. Këtu kam parë më shumë organizim se disa klube jashtë shtetit që i kam parë vetë. Nuk e di çfarë mendimi ka trajneri Silvinjo, por do jetë mirë që ta shikojë edhe kampionatin shqiptar. Do jetë gjë e mirë nëse do e shikojë superligën shqiptare. Ka kualitet. Egnatia ka ekip të mirë dhe besoj se mund të arrijmë gjithçka. Mund të arrijmë vendin e 3-të ose vendin e 2-të pa problem“, është shprehur Hysen Memolla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/