Milani ka mposhtur mbrëmjen e sotme Interin në derbin e Madoninës me shifrat 1-2. Pavarësisht se vinte pas rekuperimit nga Covid-19, Zllatan Ibrahimoviç, rezultoi vendimtar për kuqezinjtë, duke realizuar dopietën që solli triumfin për “djajtë“. Në intervistën e dhënë pas përfundimit të ndeshjes për “Sky Sport“, Stefano Pioli vlerëson figurën e sulmuesit suedez. Trajneri i Milanit zbulon edhe një detaj interesant, ku Ibrahimoviç i ka kërkuar të largohej nga fusha për shkak të lodhjes fizike, por këtë herë Pioli ka vendosur ta injorojë duke e lënë të luajë përgjatë gjithë derbit.
“Unë tashmë thashë dje se rezultati nuk do të ishte vendimtar në një mënyrë ose në një tjetër. Sigurisht, ne jemi të kënaqur që kemi mposhtur një skuadër që ka shumë cilësi dhe na ka shkaktuar shumë probleme, por u mbajtëm mirë dhe u kundërpërgjigjëm kur patëm mundësinë. Është një fitore e rëndësishme, por ka një rrugë të gjatë para nesh dhe na duhetaq shumë për të përmirësuar.
Ibrahimoviç ishte shumë i lodhur dhe madje kërkoi që të largohej, por këtë herë isha unë ai që e injorova atë! Zllatan është i jashtëzakonshëm, ai sjell aq shumë me talentin, vendosmërinë dhe karakterin e tij. Ai është një profesionist shembullor, jep gjithçka për ekipin e tij, dëshiron të fitojë gjithçka, nga një Finale e Kupës në një ndeshje rutinë në stërvitje. Nuk mund të marr asnjë meritë për marrëdhëniet me Ibrahimoviç, pasi është shumë e lehtë.
Fryma e ekipit është e pabesueshme, ne punojmë shumë për kauzën tonë. Fituam çdo ndeshje këtë sezon, por asnjë prej tyre nuk ishte i lehtë, që do të thotë se duhet të përmirësohemi taktikisht dhe teknikisht, sepse nuk mund të mbështetemi gjithmonë te karakteri”, ka deklaruar Stefano Pioli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/