“Këshilli Bashkiak do vendosë sa aksione do të shesim”, Voltana Ademi shpjegon procedurën për privatizimin e Vllaznisë

Vllaznia ka hasur në probleme të mëdha vitet e fundit dhe kjo shihet qartë edhe nga rezultatet e marra në fushën e lojës. Klubi vazhdon të jetë ende nën pronësinë e Bashkisë dhe kjo padyshim që ndikon negativisht në menaxhimin e skuadrës. Së fundi është folur për një privatizim të klubit të Vllaznisë, që shihet edhe si zgjidhja e vetme për problemet që kuqeblutë kanë. Për këtë çështje ka folur vetë Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës. Voltana Ademi ka qenë e ftuar në emisionin “Fair Play” të Enkeleida Zeko, ku ka prezantuar edhe procedurën për privatizimin e klubit.

“Klubi futbollit Vllaznia është 100% shoqëri aksionere e themeluar nga Bashkia Shkodër. Mënyra e organizimit, duke qenë publike, ka vështirësitë e veta. Ka patur përpjekje gjatë gjithë këtyre viteve për t’u privatizuar, por nuk ka ndodhur asnjëherë. Në kuptimin juridik është shitja e aksioneve, jo privatizimi. Te Vllaznia nuk ka asnjë rast pagesa që kryhen jashtë sistemit.

Ne si Bashki kemi vijuar të financojmë, por kemi vuajtur nga mungesa e fleksibilitetit, pasi kur bëhet fjalë për klube private, mënyra është më e shpejtë. Ndaj procedura e privatizimit, nuk mund të përshpejtohet.

Për momentin po flasim për procedurë, pasi nuk mund të flasim për ofertë nga kandidatë të ndryshëm. Kemi folur me ekspertë, për të modeluar procesin e privatizimit.

Të keni parasysh që Vllaznia është klubi i parë shqiptar dhe kjo i jep një avantazh.

Procesi është në fazën që kemi bërë një raport paraprak, kemi mbyllur bilancet e vitit 2019 dhe në ditët në vijim po bëhemi gati të prezantojmë në Këshillin Bashkiak një propozim që Bashkia e Shkodrës të vendosë në shitje aksionet e klubit.

Këshilli Bashkiak do të përcaktojë se sa përqind të aksioneve do të shiten dhe çmimi fillestar. Bëhet fjalë për një procedurë tërësisht transparente dhe të konfirmuar”, ka thënë Voltana Ademi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *