Drejtori Rama kërkon titullin e sezonit 2015-16 dhe të ardhurat financiare, ndërsa në shkresën e nisur në FSHF janë shtuar edhe nenet e rregullores ku bazohet kjo kërkesë
Eraldo Harlicaj
“Unë e kam bërë kërkesën për të na kaluar titullin kampion të sezonit 2015-2016. E kam dorëzuar kërkesën e arsyetuar në FSHF. Tani na mbetet të presim se çfarë do të vendosë Federata. Ne do të presim me durim”, – u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, në emisionin “Procesi Sportiv”, në “Top Channel”. Një deklaratë që intrigoi jo pak tifozët e kuq, por edhe vetë ambientin sportiv. Titulli nuk ishte harruar dhe “lufta e ftohtë” ndërmjet Partizanit dhe FSHF-së mund të rindizej ashtu siç ndodh edhe me Etnan në Itali. Për t’i vendosur pikat mbi “i” mendoi edhe trajneri Sulejman Starova në konferencën për shtyp para ndeshjes me Luftëtarin. “Ai titull nuk ka ku të shkojë, se është i yni. Është i yni për faktin se skuadra e ka marrë dënimin dhe sekretari Ilir Shulku thotë që nuk është UEFA që e jep. UEFA ka dhënë një dënim, Federata ka dhënë një dënim tjetër të formës së prerë. Në qoftë se duan ta lenë kampionatin pa fitues, fshijnë një pjesë të historisë. Automatikisht jemi ne skuadra që e meritojmë atë titullin”, – komentoi Starova.
Nisur nga ky fakt, “Sport Ekspres” arriti të sigurojë përmbajtjen e dokumentit zyrtar që Partizani ka dorëzuar në Federatë për rimarrjen e titullit kampion të sezonit 2015-2016. Në dokumentin zyrtar të dorëzuar në FSHF, shihen qartë edhe Nenet ku është mbështetur drejtori Rama për rimarrjen e titullit kampion.
KËRKESA – Gazeta zbulon përmbajtjen e plotë të kërkesës së Partizanit drejtuar FSHF-së. “Drejtuar: Federata Shqiptare e Futbollit, Komitetit Ekzekutiv, Z. Armand Duka, Adresa: Rruga e Elbasanit, Tiranë, Shqipëri
Lënda: Kërkesë për përcaktimin e FK Partizanit si fitues i Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore sezonit 2015/2016
I nderuar Z. Duka,
Përmes Vendimit të Komisionit të Etikës datë 23 qershor 2017, organi juridik i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur revokimin e titullit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore sezoni 2015/2016 skuadrës së KF Skënderbeut, si rrjedhojë e shkeljes disiplinore të parashikuar në Nenin 68, pika 2 të Kodit të Disiplinës Sportive, përkatësisht “trukimi i ndeshjeve”.
Nga ana tjetër, po i njëjti organ juridik i Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk është shprehur mbi efektet juridike të vendimit sa i përket fituesit të titullit kampion të garës, duke cenuar në këtë mënyrë garën dhe rezultatet sportive të arritura gjatë sezonit në fjalë.
Në përputhje me Nenin 88, pika 3 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike Sezoni 2015-2016, FK Partizani, si rrjedhojë e meritës sportive, është renditur si skuadra e dytë më e mirë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore. Megjithatë, në kushtet kur skuadra e renditur më e mira (fituesja) e garës është dënuar disiplinisht nga Komisioni i Etikës i Federatës Shqiptare me masën “revokim i titullit”, FK Partizanit duhet të përcaktohet fitues i garës, si skuadra e renditur e dyta më e mirë.
Rrjedhimisht, në kushtet kur Komisioni i Etikës nuk është shprehur me vendimin sa i përket përcaktimit të fituesit të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore sezoni 2015/2016, i drejtohemi Komitetit Ekzekutiv, si organi më i lartë ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, që në përputhje me Nenin 34, pika 2 të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit në koneksion me Nenin 89, pika 1 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike Sezoni 2015/2016 të përcaktojë si fitues të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë superiore Sezoni 2015/2016 skuadrën Futboll Klub Partizani.
Ndër të tjera, i kujtojmë Federatës Shqiptare të Futbollit se, qeveria e futbollit, UEFA, de facto ka njohur si fitues të kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore Sezoni 2015/2016 skuadrën tonë. Pas shpalljes së vendimit të CAS, më datë 04.07.2016 ku konfirmua përjashtimi i Klubit të Futbollit Skënderbeu nga kompeticioni UEFA Champions League 2016/2017, UEFA përcaktoi se skuadra përfaqësuese e kampionatit shqiptar (në cilësinë e fituesit) do të ishte Futboll Klub Partizani. Rrjedhimisht, ekziston një njohje e titullit të pretenduar prej nesh, nga ana e UEFA-s.
Së fundmi, ju sjellim në vëmendje faktin se, krahas mosshprehjes për fituesin e garës, Komisioni i Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka urdhëruar gjithashtu edhe zmbrapsjen e trofeut, si një masë disiplinore në përputhje me Nenin 10, pika 1. Germa d të Kodit të Disiplinës Sportive. Rrjedhimisht, në përputhje të Nenit 16, të Kodit të Disiplinës Sportive, kërkojmë që krahas titullit dhe të drejtave financiare të lidhura me të, të akordohet edhe trofeu i fituesit të Kampionat Kombëtar të Kategorisë Superiore sezoni 2015/2016.
Shpresojmë që kjo kërkesë të gjejë mirëkuptimin tuaj.
Me respekt,
Olsi Rama
Drejtor i Përgjithshëm i Partizanit”, – përfundon kërkesa zyrtare e Partizanit.
Çfarë thotë Neni 68, pika 2 e Kodit të Disiplinës Sportive
Komisionit të Etikës i mbledhur datë 23 qershor 2017 ka vendosur revokimin e titullit të Skënderbeut duke arsyetuar vendimin me Nenin 68, pika 2 të KDS-ë. Një fakt të tillë e ka përmendur edhe Partizani në kërkesën drejtuar FSHF-së. Gazeta sjell përmbajtjen e Nenit 68, pika 2, për të qenë më të qartë. “Në rastin e verifikimit të pjesëmarrjes së një lojtari ose zyrtari në influencimin e rezultatit të ndeshjes në përputhje me paragrafin 1. të këtij neni, personi juridik, shoqata ose klubi ku bën pjesë lojtari ose zyrtari përkatës do të dënohet me gjobë me një vlerë prej 2,000,000 (dy milion) Lekë. Me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, personi juridik, shoqata ose klubi përkatës do të dënohet edhe me zbritje të 12 (dymbëdhjetë) pikëve, përjashtim nga gara ose kampionati, ose zbritje në një kategori më të ulët”, – parashikon ky nen.
Çfarë thotë Neni 88, pika 3 i Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike
Partizani ka arsyetuar pozicionin në renditjen e klasifikimit pas përfundimit të sezonit të rregullt 2015-2016 me Nenin 88, pika 3 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike Sezoni 2015-2016. “Renditja e ekipeve në tabelën e klasifikimit do të përcaktohet sipas numrit të pikëve të grumbulluara gjatë sezonit përkatës, ku ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë renditet në krye dhe ekipi që ka
grumbulluar më pak pikë renditet në fund të klasifikimit”, – shkruhet në nen.
Çfarë thotë Neni 89, pika 1 i Veprimtarisë Futbollistike
Partizani për marrjen e titullit është mbështetur te Neni 89, pika 1 i Veprimtarisë Futbollistike në koneksion me Nenin 34, pika 2 të Statutit të FSHF-së. Përmbajtja e Nenit 89, pika 1 është e tillë: “Klubi i cili renditet në krye të tabelës së klasifikimit në përfundim të sezonit përkatës shpallet kampion i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore”.
Çfarë thotë Neni 34, pika 2 i Statutit të FSHF-së
Kërkesa për marrjen e titullit kampion është mbështetur në Nenin 34, pika 2 të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit, bashkangjitur Neni 89, pika 1 i Veprimtarisë Futbollistike. Përmbajtja e Nenit 34 është e tillë: “Gjithashtu Komiteti Ekzekutiv ushtron ato autoritete te cilat nuk i janë caktuar ndonjë organi tjetër të FSHF”, – me një shpjegim më të thjeshtë, Komiteti Ekzekutiv mund të akordojë titullin e sezonit 2015-2016 skuadrës së Partizanit.
Çfarë thotë Neni 10, pika 1. Germa d e Kodit të Disiplinës Sportive.
Partizani ka vënë në dukje edhe mangësitë e vendimit të Komisionit të Etikës së Federatës Shqiptare të Futbollit. Klubi i kuq në kërkesën e paraqitur shpjegon se ky komision nuk i është përmbajtur Nenit 10, pika 1. Germa d të Kodit të Disiplinës Sportive. Ky Nen ka këtë përmbajtje: “Dënime të përbashkëta për individët dhe personat juridikë
1. Individët ashtu edhe personat juridikë janë të dënueshëm me dënimet si më poshtë:
d) zmbrapsje e trofeve”.
Çfarë thotë Neni 16 i Kodit të Disiplinës Sportive
Partizani për rikthimin e trofeut është mbështetur edhe në Nenin 16 të Kodit të Disiplinës Sportive. Përmbajtja e këtij Neni: “Zmbrapsje e trofeve. 1. Personi të cilit i kërkohet ose i urdhërohet kthimi i trofeve, duhet të kthejë mbrapsht të gjitha përfitimet e marra, veçanërisht shumat e parave të përfituara, si dhe objektet
simbolike (medalje, kupa, etj.)”.