Dorian Kërçiku, mbrojtësi i djathtë i Tiranës, ka dalë sot para mediave për të folur për takimin e radhës me Kukësin. Sigurisht ai është pyetur edhe për çështje të tjera, duke veçuar këtu rivalitetin me Dokën dhe sfidën që pritet të ketë nesër me brazilianin Uilliam Kordeiro të verilindorëve.
“Mendoj se është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe duhet të futemi në fushë për tre pikët, si gjithmonë. Shpresoj të dalim mirë nga kjo ndeshje. Gjendja ime është drejt përmirësimit. Kam filluar stërvitjen dje dhe jam gati për këtë ndeshje. Këtë vit kam pasur dy dëmtime, ky i fundit zgjati dhjetë ditë. Ka pasur një vit që nuk kam pasur probleme dhe shpresoj të mos dëmtohem më deri në fund.”, u shpreh lojtari i linjës së djathtë, i cili është edhe zëvendëskapiten i bardhebluve.
I pyetur nëse Tiranën do e kënaqte një pikë me Kukësin të dielën, Kërçiku ishte i qartë në atë çka tha: “Mendoj se Kukësi ka një ekip të mirë dhe ka bërë merkato gjatë janarit. Gjithsesi ne jemi Tirana dhe se mendojmë fare barazimin”. Ndërkohë më tej ai ka folur edhe për situatën në kampionat, por thekson se mbijetesa nuk diskutohet.
“Nuk e ndjejmë fare presionin për të rënë nga kategoria. Objektivi i klubit është që të marrim pjesë në kupat e Europës, nga Kupa ose nga kampionati. Nuk e mendojmë fare që të biem nga kategoria”, shto Kërçiku, që flet më pas për rivalitetin me Dokën për krahun e djathtë të prapavijës.
“Me Dokën nuk kam rivalitet fare, jemi shokë ekipi dhe marrëdhëniet i kam shumë të mira në fushë dhe jashtë. Vendos trajneri se kush luan”, deklaroi anësori i kryeqytetasve. Kërçiku e sheh Tiranën në rrugë të mbarë dhe këtë e shpreh kur pyetet nëse ekipi i tij ka nevojë për t’u përmirësuar diku.
“Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të vazhdojmë kështu si po luajmë. Nuk besoj se ka diçka për t’u përmirësuar. Kemi pasur rezultate të mira dhe të vazhdojmë me këtë ritëm”, tha Kërçiku, i cili në të shkuarën është përfolur edhe për kalimin te Kukësi. Ai edhe e pranon diçka të tillë: “Kam pasur bisedime me Kukësin, por kam qenë nën kontratë me Tiranë. Presidenti Halili ka qenë ai që më ka mbajtur në ekip”.
Në fund ai foli edhe për duelin që pritet të ketë me brazilianin Uilliam Kordeiro të Kukësit, por edhe për rëndësinë e sulmuesit Majkëll Ngo te Tirana. “Kordeiro mendoj se është lojtar i mirë, por si gjithë të tjerët. Sulmuesi anglez? Ngo është pjesa kryesore e ekipit, na mban lart. Është nga pikat tona më të rëndësishme në sulm. Na bën shumë punë”, përfundoi Kërçiku.