Në fund ka vetëm një mesazh. Tifozi shkon në stadium për ta ndihmuar apo për ta dëmtuar skuadrën e tij?!
Çfarë e bën një tifoz të shkojë në stadium të ofendojë për 90 minuta, të tentojë dhunë dhe të godasë me mjete të papërshtatshme lojtarët në fushë? Në fund a ia vlen ta konsiderosh këtë kontingjent tifoz?!
Ndeshja e fundit Laçi-Kukësi ishte një e tillë e denjë që duhet të përfundonte në faqen e parë jo për incidentet, por për lojën e bukur që ofruan të dyja skuadrat. Rrallë herë ishte parë një skuadër që dominon aq shumë në fushën e blertë në këtë edicion. Laçi për më shumë se 85 minuta bëri gjithçka duhej për të fituar një ndeshje futbolli, por fati nuk qe me të. Luajti madje një futboll që jo vetëm nuk të vriste sytë, por të bënte të pyesje veten: Si ka mundësi që luajnë kaq mirë? Në fund humbën sepse futbolli është kapriçoz. Në çdo sport tjetër fitorja do ishte e thellë.
Studio televizive, portalet dhe gazetat u mbushën në orët pas ndeshjes me incidentet dhe dhunën që kishin pësuar lojtarët e Kukësit. E ekzagjeruar apo jo, nuk ka rëndësi, diçka ka ndodhur dhe kur ndodh dhunë sigurisht që duhet dënuar. Si gjithnjë u fol për dënime, për masa, për zbrazje tribunash, për stjuardë. Pakkush foli aty ku nis e mbaron kjo histori: Ndërgjegjja e tifozit. Çfarë kënaqësie mund të gjesh nëse sillesh ashtu dhe në fund skuadra jote e zemrës përfundon në faqe të parë për gabimet e tua? A është krenari të bësh të fortin brenda turmës, nëpër stadiumet ku sigurisht policia, qoftë dhe për lidhjet nipotike që kanë uzurpuar qytetet e vogla, nuk vepron ashtu si duhet?! A ka logjikë të paguash biletat dhe të prishësh një ndeshje futbolli?! Çfarë faji mund të kenë drejtuesit e Laçit që kanë investuar shumë dhe e kanë shndërruar futbollin e këtij qyteti në një faktor?
T’i themi gjërat siç janë. Laçi para vitit 2009 nuk ka pasur futboll. Ishte një fushë e vështirë dhe agresive, por kaq. Jashtë fushës nuk kishte marrë kurrë asnjë barazim në ndeshje zyrtare. Vetëm humbje. Drejtuesit punuan shumë që këtë mentalitet ta ndryshojnë dhe dalëngadalë ja dolën. Këtë sezon madje po tregojnë se dinë të luajnë dhe futboll të mirë dhe po marrin komplimentet e gjithë Shqipërisë. Askush nuk flet më për një skuadër që përdor forcën, por po fillohet të përmendet cilësia, talenti dhe taktika. A është kjo mënyra më e mirë për t’ua shpërblyer? Kampionati nuk ka nevojë për këtë lloj tifozi, sigurisht që nuk ka nevojë as për stadiume të mbyllura, por nëse hyn në psikologjinë e atyre që investojnë, më mirë një stadium bosh, sesa një stadium që dëmton. Keq me tifozë dhe keq pa tifozë. T’u thuash tani drejtuesve se ç’bëni ju për të sjellë njerëzit e duhur në stadium nuk është e drejtë. Po ndërtohen stadiume, fusha, po bëhen skuadra të mira, po shpenzohet në cilësi, trajnerë e taktikë dhe dikush që i thotë vetes tifoz, vjen në stadium dhe godet kundërshtarët me çakmakë. Ky nuk është një tifoz.
Alfred Mane