“Keni harruar që e çova Bylisin në finale, asnjë trajner tjetër nuk e bëri”! Shensoi “çudit” pas fitores me Vllazninë: I munda me…një stërvitje

0

Pas disa fitoreve radhazi, Vllaznia ka humbur kundër Bylisit në transfertë me rezultatin 1-0. Në debutimin e trajnerit të ri, Shensoji, ballshiotët kanë dalë me tre pikë dhe kanë shkëlqyer në misionin e tyre për të mundur shkodranët, me këta të fundit që humbasin terren për titull. Në minutën e 53 do të aktivizohej edhe Bekim Balaj që hyri nga stoli, por pa mundur të ndryshojë fatet e takimit. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Souza në minutën e 58, që mbeti në fuqi deri në fundin e ndeshjes. Gjithashtu ka pasur edhe vend për një incident pasi tifozët e Bylisit kanë goditur me sende Smajlin, por lojtari ka vazhduar më tej pas ndihmës së mjekëve.

Nga ana tjetër Laçi nuk i ka lënë asnjë shpresë Kastriotit që të mendonte marrjen e një pike. Krutanët vinin pas një rezultati pozitiv me Partizanin, por këtë herë u mundën me shifrat 4-1. Goli i parë u shënua nga Shkurtaj në të 15, ndërsa Spahiu dyfishoi në të 31 me të majtën “e hidhur” që ishte e pandalshme për portierin kundërshtar. Adeleke trefishoi shifrat në të 48 dhe Cela shkurtoi diferencat në të 82. Kur pritej fundi i takimit, Geci shënoi edhe golin e katërt. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Shensoi: “Shumë jam gëzuar që u ktheva në futbollin shqiptar pas 10 viteve. Gjenerata e re ka harruar që ne kemi luajtur finalen kundër Lacit para disa vitesh. Asnjë trajner pas meje nuk ka arritur që të marrë Kupën. Tani erdha për objektiva më të larta. Duam që të marrim Kupën ose të arrijmë në Europë. Kam bërë vetëm një stërvitje me ekipin, nuk e njihja kampionatin. Kemi fituar ndaj Vllaznisë me vetëm një stërvitje dhe kjo më kënaq. Vllaznia nuk e ka ndryshuar filozofinë e saj. Sot nuk luajtëm për bukuri, por luftuam”.

Mezani: “Fitorja më kënaq, por kemi shumë punë përpara. Duhet të mendojmë për të ardhmen. Sot më kënaqën golat dhe që kanë shënuar lojtarë të ndryshëm. Duhet të ndryshojmë mentalitetin, shpresojmë se kemi hyrë në rrugën e duhur. Shkurtaj ka bërë sot liderin. Por edhe pjesa tjetër e skuadrës, jo vetëm Shkurtaj, duhet të mbajnë nivelin e duhur. Nuk mundet të fitojmë një ndeshje dhe të humbasim tre, kjo është ideja ime. Tani duhet t’i gëzohemi formës së Shkurtajt, kur të na kthehet Guindo, do të shohim lëvizje të tjera”.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.