Dinamo “e mallkuar”! Sa shumë raste janë shpërdoruar në ndeshjen e sotme kundër Teutës, atje ku kryeqytetasit humbën me shifrat 1-0. Goli i vetëm i takimit është realizuar nga Emiljano Vila në nisje të ndeshjes. Pas një lëvizje të bukur në zonë, Vila e dërgoi topin në cepin e rrjetës.
E gjitha loja është marrë në kontroll nga Dinamo më pas, aq sa arritën në kuotën e 11 korneve të marra në vetëm 30 minuta loje. Pjesa e dytë e pa ekipin e Devollit me raste më të pastra që janë shpërdoruar.
Traversa e Demirit, shansi i artë i Haxhiut dhe goditjet e Denison, për të përfunduar me mrekullinë e portierit të ri të Teutës, Dema, që i ndaloi golin Mihanas me goditjen me kokë, teksa gjendej fare pranë tij. Topi nuk dëshironte të futej në portën e Teutës, por Dinamo është e detyruar që tanimë të kalojë zyrtarisht në zonën e ftohtë, në vendin e 8. Më poshtë gjeni edhe intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Arapi: “Jam shumë i kënaqur nga pikët, por edhe nga loja. Edhe nëse shansin më të mirë të kundërshtarit, ne kishim 2-3 raste për ta mbyllur ndeshjen. Presioni dhe lodhja ndikoi që të mos shënonim të dytin. Kemi pasur edhe disa mungesa. Nuk duhet të qetësohemi pasi luajmë me Kukësin dhe Tiranën tani. Portieri Dema bëri paraqitje shumë të mirë dhe ka shumë potencial. Duhet të vazhdojmë kështu që të na kthehet edhe besimi”.