“Kemi futur lojtarë që luajnë mirë me topin”, Zabaleta zbulon taktikën e kuqezinjve dhe dilemën më të madhe: Në portë zgjodhëm eksperiencën

Zabaleta ka folur për emisionin “Kuqezi” në “Supersport” përpara fillimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Moldavisë. Ish-lojtari i njohur ka shpjeguar zgjedhjet e bëra për duelin e sotëm. Ndihmësi i Silvinjos pranon se porta ka qenë dilema më e vështirë e stafit teknik, ndërsa zbulon edhe taktikën që do të përdorin përballë Moldavisë.

“Është një ndeshje ndryshe sigurisht dhe do të jemi më pak mbrojtës sesa ndaj Polonisë. Duhet të kemi durim gjatë gjithë 90-minutëshit për të fituar ndeshjen. Kemi futur lojtarë si Bajrami, Uzuni e Asani, që luajnë mirë me topin dhe dinë të lëvizin mes linjave. Me këtë taktikë shpresoj që t’ia dalim dhe të marrim fitoren.

Zgjedhja e Berishës? Ishte një nga zgjedhjet më të vështira, duke parë situatën në të cilën janë si Berisha, ashtu edhe Strakosha. Ne mendojmë se të dy janë mjaftueshëm të mirë për të luajtur titullarë dhe shumë të rëndësishëm, ndaj na pëlqen që kemi këtë konkurrencë.

Kur unë them konkurrencë, nënkuptoj rivalitet të shëndetshëm. Na pëlqen kur kemi lojtarë shumë të mirë dhe na vënë në vështirësi për zgjedhjet tona. Jemi shumë të kënaqur me Muçin, që vjen për herë të parë dhe është stërvitur shumë mirë. Kemi zgjedhur Bajramin, duke pasur parasysh eksperiencën që ai ka, pasi ka luajtur disa ndeshje me Kombëtaren“, ka deklaruar Zabaleta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *