“Kemi ardhur për respektuar veten“, Daja kërkon mrekullinë: Nëse kemi një ëndërr për ta kthyer në realitet, duhet ta bëjmë në Zvicër

Partizani ka zbarkuar në Zvicër në prag të ndeshjes me Bazelin në turin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës. Ilir Daja ka bërë daljen e zakonshme përpara mediave një ditë përpara sfidës, ku nxjerr në pah vlerat e kundërshtarëve, por nga ana tjetër thekson se të kuqtë nuk kanë ardhur për të qenë thjesht kalimtarë në Zvicër. Kreu i pankinës së Partizanit tregon se e vetmja mungesë për të është Musta, ndërsa lojën mund ta nisë edhe me një ndryshim në formacion.

“Përballë kemi një kundërshtar të vështirë. Basel është një nga ekipet më me traditë jo vetëm në futbollin zviceran. Kanë qenë pjesmarrës të rregullt në kompeticionet evropiane duke qenë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampioneve. Kampionati zviceran është më i fortë se i yni dhe Basel e ka mbyllur sezonin e shkuar në vendin e dytë. Do të thoja që Basel ka patur më shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen në raport me ne që pas kualifikimit të merituar ndaj Sfintul kemi patur vetëm tre ditë në dispozicion. E respektojmë Basel, por kemi ardhur që të respektojmë edhe veten tonë. Nëse kemi një endërr dhe duam ta bëjmë realitet këtë duhet ta bëjmë këtu në Zvicër përtej koefiçientit të vështirësisë që paraqet kjo ndeshje.

Për sfidën e nesërme kemi vetëm mungesën e Emiljano Mustës, pjesën tjetër të grupit e kemi në dispozicion. Mundet të startojmë edhe me një ndryshim në formacion për të patur një tjetër strategji për vetë kohën e pakët që kemi patur për ta përgatitur ndeshjen. Shpresojmë që të jetë ajo e duhura, por do të marrim informacion edhe nëpërmjet lojës për të parë çfarë mund të bëjmë më të mirën në ndeshjen e nesërme.

Personalisht më vjen shumë mirë që lojtarët shqiptarë po integrohen në ekipet me zë në Europë. Kjo është gjë shumë e mirë për shqiptarët kudo që janë sepse lojtarët shqiptarë kanë premisa të mira për të luajtur futboll pasi talenti nuk u mungon. Këta lojtarë mund të jenë ambasadorët më të mirë për ti hapur rrugën edhe brezave të tjerë të përfaqësohen siç edhe po tregojnë lojtarët shqiptar të Basel“, ka deklaruar Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *