Kilian Mbape është i pakënaqur me klubin dhe sipas raportimeve të fundit mësohet se ka kërkuar largimin që në janar. Francezi rinovoi kontratën në fund të sezonit që lamë pas, por në pak kohë është ndjerë i tradhëtuar nga klubi parisien. “Marca” tregon se drejtuesit e PSG-së i premtuan se kishin gati 500 milionë euro për të larguar nga skuadra Mesin dhe Nejmarin nëse ai do ta kërkonte diçka të tillë.
Mbape duket se nuk ka ngulur këmbë për Mesin, por ka kërkuar largimin e Nejmarin, të cilin e cilëson si jo profesionist dhe të dëmshëm për ekipin. Por situata ka marrë rrjedhë tjetër dhe braziliani është ende pjesë e gjigantëve francezë, të cilët nuk mundën ta shisnin përgjatë merkatos së verës. Paga e majme dhe shuma e lartë e kartonit e bëjnë Nejmarin një objektiv mjaft të vështirë në merkato. Premtimi i PSG-së nuk po përmbushet, prandaj Mbape ka vendosur të jetë ai personi që do largohet nga Parisi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/