Në Kavajë mungon shumë futbolli elitar… Besa po kalon vështirësi, edhe pse presidenti Bizhdili po përpiqet që ta nisë nga të rinjtë, duke nënshkruar me disa lojtarë interesantë dhe duke vënë një bast personal…
Shumë vite pa qenë protagonistë, verdhezinjtë i mungojnë Superligës, por sigurisht që shpresa është që një ditë të kthehen. Po flasim për një skuadër që ka nxjerrë kampionë të padiskutuar dhe që furnizoi Skënderbeun me ata që më pas do të hapnin një cikël (Orges Shehi, Bledi Shkëmbi, Endri Vrapi, Erbim Fagu). Sigurisht, në atë Besë ishte dhe Sokol Cikalleshi, sulmuesi i kombëtares sot.
Por, për të mos shkuar aq larg në kohë, mjafton të kthehemi vetëm 4 vite më parë, ku kavajasit ranë nga kategoria, me shumë polemikash dhe akuzash ndaj FSHF… Dhe, në atë Besë luanin futbollistë kalibri që edhe sot janë të kërkuar.
Fejzullahu, Jashanica, Argjend Mustafa, Bernard Berisha, por edhe Bruno Dita dhe Vedat Muriqi. Ndërkohë, në stol ishte ai djali që sot luan në Belgjikë me Ostenden, pra Sindrit Guri, tepër i ri dhe i talentuar.
E të mendosh që edhe Muriqi, që sot luan në Turqi me Rizesporin dhe është titullar i Kosovës, ishte thjesht rezervë e Mancakut. Pa harruar Fatjon Sefën e Lushnjes, që gjatë këtyre viteve ka shënuar “tonelata” me gola në Shqipëri.
Praktikisht, ajka e futbollistëve, që sot luajnë në skuadra të mëdha.