Javët e fundit ndeshje të paracaktuara, ku Skrapari shënon në një ndeshje aq sa nuk ka shënuar për një fazë, pa folur për terrenet, që janë për të vënë “duart në kokë”. Delvina që bën “qoka” kudo ku luan, apo ekipe që kurrë nuk paguhen. Federata duhet të ndërhyjë urgjent dhe të ndryshojë skemën
Erjon Saliu
Kategoria e Dytë aktuale dikur ka shërbyer edhe si “trampolinë” për shumë lojtarë që nuk kishin vend në ekipet e mëdha, me emër. Nga Shkodra e deri në Sarandë, shumë ekipe kanë marrë pjesë në periudha e vite të ndryshme në këtë kampionat. Në qoftë se në atë periudhë kishte shumë ekipe serioze, madje edhe shumë tradita, vitet e fundit, ose më konkretisht në dekadën e fundit, ky kampionat e ka humbur vlerën e vet. Në këtë garë, që i thënçin e tillë, luajnë ekipe nga të “katër anët” e vendit, pa asnjë doganë e asnjë kriter. Këtë sezon kanë marrë pjesë edhe skuadra që kanë spikatur në Kategorinë e Parë, apo dhe ato që kanë bërë histori e kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar! Por, sot ky kampionat duket se është katandisur në “rangun” e futbollit të lagjeve… Sepse ka shumë problematika dhe është fjalë shumë e madhe që ta quash futboll profesionist. Me rregulla të paracaktuara, por të pacaktuara e pazbatuara, nga të gjithë aktorët e sidomos nga FSHF!
TOLERIMET – Javën e shkuara u bënë bajat rezultatet, madje të vinte turp të ndiqje një ndeshje, ku aktorët në fushë dhe ata në bankina e tribuna talleshin apo bënin ironi me produktin e tyre. Dihej se si do të dilet Elbasani në Memaliaj, apo Orikumi në Përmet e Albpetroli me Këlcyrën. Imagjinoni, janë shënuar 12 gola në ndeshjen Skrapari-Delvina, që përfundoi 6-5. Po, po 11 gola, madje Skrapari ka shënuar 6 gola në një ndeshje. Ai Skrapar që në fazën e parë ka shënuar 11 gola në total! Por, jo vetëm Skrapari, sepse ka faj edhe Delvina që nënshtrohet për të shpallur shënuesin me gola që s’vlejnë, si është rasti i trajnerit Dritan Mehmeti, që vendosi të hyjë në histori! Sa për kujtesë, një javë më parë Mehmeti shënoi edhe 4 gola, për t’u mburrur te shokët dhe fisi. Por, jo vetëm ky çift bëri bujë për goleadën, por edhe të tjera, pasi edhe ekipet e tjera ia kanë varur fare dhe duket sikur luajnë me skemën 1-4-5 në fushë.
TERRENET – Një kampionat ku ka disa stadiume dhe disa skuadra luajnë në fusha apo dhe anekse që kanë shërbyer më parë për stërvitje apo ndeshje moshash. Mjafton të shohësh terrenin “Shefqet Lamçja”, aneksi i Elbasanit siç njihet ndryshe. Më parë ka shërbyer për stërvitjen e ekipit verdheblu dhe moshave, ndërsa tashmë luhen ndeshje zyrtare. Disa ekipe nuk kanë fusha fare, madje në kohë me shi ato kthehen në moçal. Vora që pretendon të ngjitet në Kategorinë e Parë, apo dhe Veleçiku, me terrenet që kanë aktualisht zor se mund të licencohen të luajnë një nivel më lartë në të atilla kushte mizerabël! Sopoti e Domosdova s’kanë fushë dhe enden si “çifuti në shkretëtirë”! Apo dhe Maliqi që në kohë me shi, terreni i vet kthehet në moçalishte!
ORGANIZIMI DHE FINANCAT – Organizimi lë për të dëshiruar, sepse vetë FSHF duhet që të jetë më e kujdesshme. Shumë klube vuajnë në çdo drejtim dhe skuadrat e para i kanë ose për disa fonde më shumë, ose sa për t’i mbajtur gjallë. Kjo mjafton për ta! Madje, ka raste kur ndonjëherë “çahet” goma e autobusit rrugës dhe nuk udhëtohet në ndeshjen e radhës. Apo udhëtohet brenda ditës me qindra kilometra dhe shkohet në stadium pak minuta para ndeshjes! Pa hyrë në temën më të nxehtë, anën financiare. Me bindje të plotë, por edhe duke investiguar në shumë nga skuadrat, ka shumë ekipe ku lojtarët nuk kanë pagë, ose marrin ndonjë qindarkë në të zezë! FSHF, vetëm për të mos prishur garën, lejon që të hyjnë ekipe që thjesht regjistrohen, ndoshta pa paguar as tarifën dhe pa deklaruar të ardhurat. Nuk është çudi që me përjashtim të 5-6 skuadrave që paguhen me rroga, sepse për kontrata s’bëhet fjalë, nga 27 në total, të tjerët luajnë edhe për qejf. Madje, ka ekipe që disa lojtarë i paguajnë edhe me ndeshje (nga 5 mijë lekë të reja)!
RREGULLORET – Që këtu nis lëmshi dhe mungesa e theksuar e seriozitetit. Sepse, nuk mund të ketë ndershmëri dhe rivalitet, në një garë që ka vetëm emrin të tillë. Kur gara dhe meritokracia nuk ekziston apo nuk zbatohet nga ata që i hartojnë rregulloret apo dhe duhet që të kujdesen për mbarëvajtjen e institucionit, nuk ke se çfarë të presësh nga aktorët në fushën e blertë apo dhe klubet. Nuk bien ekipet që janë të fundit, apo nuk ngjiten skuadrat që meritojnë. Javë pas jave ka pasur kontestime dhe akuza. Veleçiku për Vorën e anasjellas në Veri si dhe Elbasani, Orikumi e Albpetroli për njëra-tjetrën në jug! Ndërsa, sezonin e ardhshëm nuk është çudi që të shohim ndonjë ekip që s’ia kemi dëgjuar emrin dhe vetëm pse ka marrë pjesë në Kategorinë e Tretë, mund të futet, pse gjen fushë brenda rregullave (Klosi luan në Burrel) dhe ka dëshirën që të marrë pjesë në kampionat duke paguar edhe taksën e regjistrimit! Imagjinojeni vetë, ç’të presësh pastaj?!
TALENTET – Na vjen mirë kur dikush si Kristal Abazaj shkon tek Anderlehti, por askush nuk thotë: pse nuk kemi shumë të tillë? A është Abazaj rregulli, apo thjesht rastësia dhe talenti personal i tij? Mbi 20 klube në Kategorinë e Dytë, por edhe shumë të tjerë në Kategorinë e Parë, nuk bëjnë asnjë punë me të rinjtë, shpesh nuk kanë ekipe zinxhir dhe nuk kanë as dëshirë, as fuqi financiare e as motivim për të punuar mirë. Në disa vende të Europës, si në Itali, kategoria e tretë ka kombëtare më vete dhe shpesh grumbullohen lojtarët për stazhe stërvitore e miqësore, për të pikasur talente për kombëtaren U-21. A kemi ne ndonjë lojtar për Shqipërinë U-21 në Kategorinë e Dytë? Nuk do të ishte më logjike që të bëhet një kampionat me më pak ekipe e më shumë shpërblime, si për klubet që kanë sukses, edhe ata që luajnë me shumë lojtarë U-21 në ekip?
BOJKOTI – Mamurrasi ndikoi me bojkotin në javët e para. U paralajmërua dhe tolerua disa herë dhe me shumë vështirësi u përjashtua. Tashmë mbetet për t’u parë, sepse me rregullore duhet që ta nisë nga Kategoria e Tretë. Mos ndoshta FSHF me një “sy qorr, e veshin shurdh” e rifut në garën e Kategorisë së Dytë sezonin e ardhshëm. Çfarë nuk bën vaki, jetojmë në Shqipëri, ku Kategoria e Dytë, e cila në shumë shtete shërben për promovimin e talenteve, apo ku shumë lojtarë veshin ekipet e përfaqësueseve të moshave, në Shqipëri është në informalitet të plotë, ku ndonjëherë nuk mund ta krahasosh as me futbollin lagje-lagje!
Elbasani e Albpetroli dikur në Europë, sot në të Dytën!
Në Superioren e sotme, apo kategorinë e Parë dikur ka pasur shumë nga ekipet aktuale të së Dytës që kanë marrë pjesë. Madje, emra si: Elbasani, Albpetroli kanë luajtur edhe në Kupat e Europës. Për fat të keq, të dyja janë në një grup, çka mund të themi se është edhe një keqmenaxhim, duke qenë se bëhet fjalë për dy ekipe, me kualitete dhe rroga të rregullta apo dhe me stadiume më të mira se ekipet e tjera, por që vetëm njëra prej tyre do të ketë fatin të ngjitet direkt në të Parën që me shumë gjasa do të jetë Elbasani.