Krutanët sot pritet që të startojnë fazën përgatitore. Gati surprizat në merkato
Bujar Balliu
Krutanët e trajneri Samuel Nikaj u kanë thënë “stop” pushimeve dhe tashmë janë përqendruar te përgatitjet verore por edhe merkato. Kështu, si edhe ishte planifikuar nga krerët më të lartë të klubit, Kastrioti do të zbresë sot në fushën e blertë ku edhe zyrtarisht pritet të nisi edhe përgatitjet për sezonin e ri. Ardhja në krye të pankinës e shkodranit Samuel Nikaj, ka sjell ndryshime në skuadër, por edhe disa afrime cilësore.
RINOVIMET – Deri më tani, duke përmendur lojtarët e sezonit të shkuar, krutanët kanë rinovuar me portierin Erkan Spahija, si edhe me mbrojtësit Elton Doku, Rigers Hoxha, Vilson Lila, Sajmir Gjokeja, Xhuljan Ndreu, Sokol Neziri, si edhe me mesfushorët, Xhynejt Çutra, Skënder Lilaj, Denis Xhaferri dhe Endri Muçmata. Gjithashtu, nga sezoni i shkuar, kanë rinovuar edhe Dunmoye Kabiru dhe Taulant Marku.
MERKATO – Sa i takon merkatos, deri më tani krutanët kanë avancuar së fundmi dhe kanë arritur akord me mesfushorët, Sokol Mziu, Albert Caca, si edhe me mbrojtësin Ergi Borshi, e me portierin Klajdi Kuka. Gjithashtu, ka pasur bisedime me Arsen Hajdarin, Alis Bocin dhe Alfred Zefin. Por edhe me tre kosovarët, Hajdari, Shala dhe Avdyli. Drejtuesit pritet që të diskutojnë detajet e fundit të këtyre bisedimeve dhe në qoftë se do të ketë dakordësi, atëherë lojtarët e sipër përmendur do të firmosin edhe do të vihen nën urdhrat e trajnerit Samuel Nikaj. Sakaq, janë shtuar zërat për një afrim të mundshëm edhe të sulmuesit Enco Malindi, me të cilin ka pasur edhe bisedime paraprake. Malindi është një futbollist, i cili e ka veshur edhe më parë fanellën e Kastriotit në Superiore. Por ka luajtur edhe me disa skuadra të njohura të vendit por edhe jashtë. Natyrisht, që afrimi i një kualiteti si Malindi, do e rriste shumë konkurrencën e sidomos ofensivën e skuadrës krutane, e cila këtë sezon synon ngjitjen në Superiore.