Krutanët kanë nisur përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Samuel Nikaj, që kishte nën urdhrat e tij disa prej prurjeve të bëra publike
Bujar Balliu
Kastrioti nisi dje zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2017-2018. Të gjithë lojtarët dhe stafi teknik me në krye trajnerin Samuel Nikaj u mblodhën në stadiumin “Kastrioti”, ku fillimisht drejtuesit bënë prezantimin zyrtar të teknikut përpara futbollistëve. Më pas ishte Nikaj ai që mori fjalën,teksa pasi falënderoi drejtuesit për besimin e dhënë, iu drejtua futbollistëve, që u bëri të ditur edhe kërkesat kryesore. “Duhet sakrificë, përulësi dhe frymë grupi”, tha ndër të tjera tekniku shkodran dhe më pas pjesa më e madhe e futbollistëve nisën edhe seancën e parë stërvitore për këtë sezon. Ajo që binte në sy ishin lojtarët për të cilët prej ditësh flitej se ishte arritur akordi. Të gjithë ishin të pranishëm në stadium dhe së bashku me lojtarët e tjerë që kanë rinovuar pak ditë më parë u stërvitën për rreth 60 minuta. Dje munguan portieri Spahija dhe mbrojtësi Doku e Gjokeja. Për dy të parët mësohet se janë me leje dhe pritet të bashkohen me skuadrën në ditët në vijim.
MERKATO– Në stadium ishin të pranishëm edhe shumë lojtarë të tjerë të njohur, ku disa prej tyre biseduan me drejtuesit e lartë të skuadrës. Mes tyre ishin edhe futbollistët Alis Boçi, Enco Malindi dhe Abaz Karakaçi, të cilët pasi biseduan me drejtuesit u dukën të kënaqur. Megjithatë, mbetet të presim ditët në vijim detajet e bisedës dhe ecurinë e bisedimeve, nëse ka dakordësi midis tyre për të nisur bashkëpunimin së bashku. Sakaq, krahas lojtarëve të konfirmuar dhe atyre që janë në bisedime, dje kishte edhe disa lojtarë në provë.
LOJTARËT E KONFIRMUAR
ERKAN SPAHIJA?
VILSON LILA
RIGERS HOXHA
SOKOL NEZIRI
ELTON DOKU?
SAJMIR GJOKEJA?
XHYNEJT ÇUTRA
SKËNDER LILAJ
ENDRI MUÇMATA
DENIS XHAFERRI
TAULANT MARKU
DUNMOYE KABIRU
AFRIME
ALBERT CACA
SOKOL MZIU
KLAJDI KUKA
ERGI BORSHI?
ALIS BOCI?
ENCO MALINDI?