Karius nuk ndryshon, tjetër gafë e pafalshme në Europë

U luajt Europa League, por për një moment u krijua ideja sikur u kthyem në Champions League. Më 26 majin e kaluar, në finalen ku Reali i Madridit përfitoi nga mbrëmja e tmerrshme e portierit Karius, duke mposhtur Liverpulin dhe ngritur në qiell trofeun e 13-të si kampionë të Europës.

Prej asaj ndeshje kanë kaluar disa muaj. “Reds” afruan Alison, duke vendosur një rekord të ri për transferimet e portierëve, ndërsa “gardiani” gjerman bëri valixhet dhe u transferua te Beshiktashi, për të gjetur qetësinë që i mungonte.

Nga Anglia në Turqi, me shpresën se nuk do të ishte në qendër të vëmendjes dhe do të hidhte pas shpine të gjitha polemikat. Ndoshta, mundësia për të nisur një karrierë të re. Thuajse nga zero. Megjithatë, nuk ndodhi kështu… Karius nuk ndryshon dhe vazhdon të mbetet protagonist për keq, duke ndikuar sërish në ndeshje me gafat amatore.

Gabimi i radhës u regjistrua në ndeshjen ku Beshiktashi i mposht 2-0 në fushën e Malmos së mbrojtësit kuqezi, Egzon Binaku. Në minutën e 53-të, harkimi i norvegjezit Vindheim, i devijuar nga Çaner Erkin u shndërrua në gol pas episodit qesharak me portierin gjerman. Në tentativën për ta larguar topin në goditje këndi, Karius nuk arriti ta prekte sferën që përfundoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin kundërshtarëve suedezë.

Një gafë e cila rikthen fantazmat e Kievit. Kjo edhe për shkak të tifozëve të Malmos, që pas atij episodi e kanë ngacmuar përgjatë gjithë ndeshjes, madje duke i dedikuar edhe kore tallëse. Karius po provon me të gjitha mënyrat të ecë përpara dhe të vazhdojë normalisht karrierën. Por, gjithçka duket se është rikthyer si më parë, me gabimet e finales së Champions League që e përndjekin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *