Karabeci thyen Besën, Sinella rimerr kavajasit dhe policia “dezerton”

Kavajasit janë përballur shumë denjësisht me trofe mbajtësit në fuqi të Kupës së edicionit të kaluar. Besa humb, por rifiton sërish shërbimet e trajnerit Bledar Sinella

Fatmir Efica

Me autoritetin e fitueses së kupës së edicionit të kaluar Tirana është shfaqur në Kavajë si një skuadër që kërkoi fitoren dhe e arriti atë falë ngulmimit të saj karakteristik. Besa është një skuadër e formuar rishtas, pasi pjesa dërmuese e futbollistëve cilësorë të formacionit të saj kanë ardhur në ekip diçka më vonë se pjesa tjetër e lojtarëve. Pavarësisht kësaj, ka qenë një ndeshje e bukur, shumë e luftuar mes të dy ekipeve që vërtetë duhet thënë se është “gjynah” që i sheh të luajnë në Kupën e Shqipërisë, si dy skuadra të Kategorisë së Parë, por jo të të njëjtit grup. Besa e ka filluar me vrull ndeshjen, madje në 30 minutat e para arriti të fitojë epërsi territoriale e të krijojë disa rreziqe me Mihanin Dervishin e Er.Hoxhën. Goli i Perjes në të 28-ën, pas një gabimi të Ilion Likës që i dhuron topin lojtarit kavajas, e ka zbukuruar edhe më këtë minutazh. Por vetëm kaq. Sepse pas pësimit të golit, Tirana ndryshon menjëherë dhe reagon. Fiton një 11-metërsh që e shndërron në gol Karabeci me përvojën e tij dhe në minutat e mbetura para pushimit, miqtë kërkuan diçka më tepër, por pa ia arritur qëllimit. Paqja e shifrave çon skuadrat në pushim. Ndërsa fraksioni i dytë, sidomos minutat e para, deri sa gjendet goli i epërsisë po nëpërmjet Karabecit që ka shfrytëzuar një zmbrapsje të gabuar të topit nga mbrojtja e Besës dhe i ka dhënë fitoren kryeqytetasve. Besa nuk e ka dashur të “përtypë” lehtë disfatën shtëpiake. Eshtë përpjekur të barazojë. Iu afrua disa herë portës me Carën, Oshafin, Dervishin por pa mundur të barazojë. Një rezultat që nuk lë vend për “alarm”, pasi loja e Besës ishte e pëlqyeshme. Madje mund të thuash pa frikë se i kaloi pritshmëritë duke llogaritur edhe kundërshtarin ndaj të cilit humbi këtë takim. Në kampionat mund të jetë një Besë edhe më e fortë, pasi dje nuk u aktivizua qendërsulmuesi tiranas Morina që mbërriti në ekip vetëm të hënën pasdite apo mund të ketë edhe ndonjë lëvizje tjetër deri para ndeshjes shtëpiake me Dinamon të së dielës në Kavajë, kjo skuadër dha sinjale pozitive. Tirana me fitoren e ngushtë, por me dy gola në transfertë bëri shumë më tepër se një hap për kapërcimin pa problem të saj në turin e dytë. Aq më tepër që kavajasit ishin deklaruar edhe më parë se nuk kanë ambicie në kupën e këtij edicioni…

E mërkurë 13 shtator 2017

Ora 16:15, stadiumi “Besa”

BESA – TIRANA    1-2

SHËNUES: Perja 28’ / E.Karabeci 31’(p), 68’

BESA: A.Kaloshi, Perja, Er.Hoxha, Kullolli, Bushi (Biba 58’), Shabani (Cara 46’), Duka, Mihani, Ed.Hoxha (Oshafi 55’), Dervishi, E.Kaloshi. Trajner. B.Sinella

TIRANA: Lika, Kërçiku, Bishaj, Hoxhallari (A.Çelhaka 46’), Daja, Mauxhe, Karabeci, Sentamu, Halili (Doka 46’), Turtulli, Ngo (Greca 70’). Trajner: Zhoze Mario Ferreira Ze Maria

GJYQTARË: O.Yzeiraj, Q.Shehaj (Patos), E.Malo (Lushnje)

KARTONË TË VERDHË: Duka 30’, Cara 60’ / Halili 37’, Turtulli 49’, Sentamu 81’

 

INCIDENTI/ Policia nuk mori përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes

Ndonëse stadiumi “Besa” ka marrë “OK” nga FSHF-ja për t’u luajtur aty ndeshjet e garat sportive, për Policinë e Kavajës, kjo nuk mjaftoi. Duhet thënë se momentalisht shfrytëzohen vetëm tribunat A e B qendrore dhe ajo VIP që i plotësojnë kushtet. Ndërsa për tribunat e tjera ka patur dakordësi që për shkaqe sigurie nga amortizimi i tyre, të qëndrojnë të mbyllura. Gjatë ditëve të fundit janë shkëmbyer shumë shkresa mes Bashkisë dhe Komisariatit të Policisë së Kavajës për të gjetur gjuhën e përbashkët që ndeshja e djeshme të luhej nën masat e zakonshme që merr policia. Por kjo për fat të keq nuk ndodhi. Drejtuesit e Bashkisë dhe personalisht Drejtori i Kulturës dhe Sporteve z.Genci Gjylsheni kanë mara masa urgjente që sigurimi i rendit e qetësisë në stadiumin Besa të behej me Policët Bashkiakë dhe ata privatë. Falë masave urgjente që u morën dhe dëshirës e vullnetit pozitiv të të gjithë faktorëve, delegatit, vëzhguesit e arbitrave e mbi të gjitha të të dyja skuadrave, duke parë praninë e tifozëve, kushtet e shkëlqyera të fushës së lojës, u dha “OK”-ji dhe ndeshja ka shkuar për mrekulli në tërë zhvillimin normal të saj. Eshtë rasti i dytë që ndodh kështu. Në takimin e hapjes së kampionatit të kaluar në Kavajë, Besa – Besëlidhja më 24.09.2016 Policia vendore nuk siguroi rendin dhe ndeshja u zhvillua po me prezencën e Policisë Bashkiake e private dhe nuk pati asnjë lloj problemi. Shpresohet se në vijim do të gjendet mirëkuptimi, pasi Kavaja është një qytet me shumë emër e traditë në futbollin shqiptar dhe për më tepër ka qytetarë e sportdashës tepër të kulturuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *