Kapiteni Shehi premton: Nuk kthehemi të humbur nga Beogradi

Tre vite më parë, kapiteni i Skënderbeut përjetoi atë dhunë të serbëve në stadiumin, ku nesër beson se me skuadrën e tij do të lërë gjurmë

Leonard Trebicka

“Për mua, ai takim i para tre viteve në Beograd me Kombëtaren nuk i përkiste futbollit, nuk ka nevojë të flas shumë. E panë të gjithë çfarë ndodhi. Kjo ndeshje është krejtësisht tjetër gjë. Ne shkojmë të përqendruar 100% për të luajtur futboll dhe nuk mendojmë aspak te shkallët e stadiumit”, – ka thënë mes të tjerash një ditë para nisjes për në Beograd kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi. Ai rikthehet në të njëjtin stadium, jo si kuqezi, por me Skënderbeun. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, kapiteni i korçarëve shpreh besimin për një rezultat pozitiv ndaj Partizanit të Beogradit.

– Shehi, përpara keni ndeshjen me Partizanin e Beogradit. Si po e prisni?

– Është një ndeshje radhe, përballë një ekipi që luan në fushën e vet dhe kërkon të marrë pikët maksimale. Do të tentojmë më të mirën në këtë transfertë. Duam të mos dalim pa pikë nga Beogradi.

– Sot (dje) keni mbyllur përgatitjet në Durrës dhe mbetet edhe stërvitja e fundit në Beograd. Si është gjendja në skuadër?

– Morali është vërtet i lartë dhe kjo vjen edhe pas rezultateve të mira që ne kemi arritur në Superligë, por edhe në ndeshjet europiane. Jemi shumë optimistë. Këtë kërkonim dhe e kemi përpara një ndeshjeje të vështirë si kjo ndaj Partizanit të Beogradit.

– Ju keni qenë me Kombëtaren tre vite më parë në Beograd. Çfarë mbani mend nga ai takim?

– Për mua ai takim nuk i përkiste futbollit, nuk ka nevojë të flas shumë, pasi e panë të gjithë se çfarë ndodhi. Kjo ndeshje është krejtësisht tjetër gjë. Ne do të shkojmë të përqendruar 100% për të dhënë më të mirë në fushë, duke mos menduar aspak për shkallët e stadiumit.

– Atëherë ishin në stol, ndërsa tani ktheheni në të njëjtin stadium me shiritin e kapitenit të Skënderbeut…

– I tillë është futbolli, kur luan me Kombëtaren e vendit tënd dhe një klub të suksesshëm. Më ka qëlluar, në mos gaboj, disa herë një gjë e tillë. Më qëlloi në Zagreb, po ashtu edhe në Moldavi, tani edhe në Beograd. Besoj që është normale që të ndjesh emocione, sepse kthehem në të njëjtin stadium, por këtë herë me ekipin tim.

– Sa shanse ka Skënderbeu të bëjë hapin e madh në Beograd për vendin e dytë në grupin B të Europa League?

– Futbolli mund ta them se nuk është me shanse. Ne shkojmë të bëjmë më të mirën në fushë të mos dalim pa pikë nga Beogradi.

– Pritet që stadiumi të jetë i tejmbushur. Kjo atmosferë është mirë për ju, pasi kundërshtari ka presion, apo ndikon negativisht?

– Jo, nuk mendoj se do të ndikojë negativisht, pasi jemi mësuar të luajmë në nivele vërtet të larta. Madje, ndonjëherë është shumë mirë, sepse atmosfera është tjetër me tifozë dhe tjetër pa tifozë. As nuk na bën përshtypje që do të kemi kaq shumë tifozë kundër.

– Jeni pranë një tjetër suksesi historik, siç do të ishte kalimi i grupeve. E mendonit se do të shkonit kaq larg?

– Objektivat i kemi arritur, por shohim gjithmonë ndeshje pas ndeshjeje se ku mund të shkojmë. Kjo skuadër ka kaluar katër ture të Europa League dhe ka treguar se matet pa problem edhe me emra të mëdhenj. Të tjera objektiva kemi deri në fund, kur duhen 3 takime për t’u mbyllur grupet e Europa League.

– Por keni dy transferta të vështira dhe më pas prisni Dinamon e Kievit…

– Po mendojmë vetëm Partizanin e Beogradit, nuk e kemi luksin të mendojmë që tani për ndeshjet që vijnë më pas. Me këtë intensitet të lartë duhet të futemi në fushë dhe të përqendrohemi vetëm te ky takim për të marrë atë që duam.

– Asnjë tifoz shqiptar në stadium, sipas marrëveshjes mes klubeve. Si e shihni këtë fakt?

– Kjo është thjesht një marrëveshje mes dy klubeve për të shmangur incidentet. Gjithsesi, jam i bindur që të gjithë tifozët do të na mbështesin nga ekrani i televizorit dhe jo vetëm korçarët, por mbarë shqiptarët kudo ku janë.

– UEFA dënoi me 60 mijë euro dhe me një ndeshje pa tifozë ekipin tuaj. Pse ky dënim i rëndë?

– Nuk jam unë personi i duhur që mund të japë një opinion të saktë rreth atij vendimi të UEFA-s. Janë drejtuesit e klubit, që mund t’i përgjigjen më mirë kësaj pyetjeje.

– Së fundi, çfarë rezultati parashikon Shehi në Beograd?

– Dëshira është e madhe të fitojmë, pasi kështu bëjmë një hap të rëndësishëm përpara për vendin e dytë në grup. Por më e rëndësishme është të mos dalim pa pikë dhe këtë patjetër që do ta arrijmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online