Kaos me kontratat, revoltë te Kukësi

Te Kukësi ka probleme të mëdha. Klubi pretendon se futbollistët në fund kontrate kanë rinovuar, por të gjithë mohojnë prerë. Diçka nuk shkon dhe mund të ketë gjyqe të reja

Jurgen Zela

Çështja e trajnerit nuk është asgjë, sepse te Kukësi ka probleme shumë më të mëdha. Skuadra është në ajër, sepse shumë lojtarë janë pa kontratë, ose të paktën ashtu mendojnë lojtarët. Klubi ka depozituar kontratat e reja në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kjo gjë ka shkaktuar habi te lojtarët, kur e kanë mësuar një gjë të tillë. Futbollistë si Koliçi, Emini, Pejiç, Zhan Karioka e Shameti janë në fund të kontratës, por ndërkohë Koliçi dhe Emini e kanë parë veten nën kontratë, të rinovuar, ndërkohë që mendonin ndryshe.

Koliçi – Portieri kampion ka kohë që bën planet e së ardhmes dhe shpesh është vëzhguar nga menaxherë të ndryshëm, edhe të huaj, aq sa ka pasur interesim nga Liga 2 franceze, lajm që është publikuar muaj më parë në “Sport Ekspres”. Megjithatë, Koliçi së fundi ka marrë ofertë edhe nga Skënderbeu, që kërkon pasardhësin e Orges Shehit, ofertë mjaft joshëse për Koliçin, që e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar dhe në Korçë do të gjente një ambient mjaft komod. Megjithatë, gjithçka ka ngecur për shkak se portieri pret të marrë lejekalimin, që në fakt nuk po i jepet. Arsyeja? Koliçi rezulton se ka rinovuar, pa dijeninë e vet. Kontrata është depozituar në FSHF, me Koliçin që rezulton të ketë firmosur para pak ditësh!

Emini – Historia e Eminit është e njëjtë me atë të Koliçit. Kontrata e tij prej 1.5 vitesh ka përfunduar këtë verë, por ndërkohë sulmuesi ka mësuar se ka rinovuar. Edhe Emini pohon se nuk ka rinovuar me Kukësin dhe as ka biseduar për rinovim, ndaj kontrata e depozituar në Federatë është një mister i madh. Emini ka kohë që ka marrë sinjale largimi dhe ka biseduar me klube të tjerë, duke qenë shumë pranë Shkëndijës së Tetovës, por tani merr lajmin se nuk mundet të lëvizë! Si do të shkojë kjo histori, do të shohim në vazhdim.

Zhan Karioka – Brazilianit i ka përfunduar kontrata me Kukësin dhe prej ditësh së djeshme ka dalë futbollist i lirë. Edhe vetë mesfushori ka postuar një mesazh në rrjetet sociale, duke informuar të gjithë se tashmë është në treg. Megjithatë, fillimisht presidenti Safet Gjici kishte ndërmend ta bllokonte, sepse në intervistën e lëshuar dje në Top-Channel deklaroi se Zhan Karioka do të qëndrojë. Gjithsesi, më pas presidenti kuksian ka hequr dorë, duke e lënë të lirë mesfushorin, i cili ka dhënë një kontribut të madh në dy vite në Kukës.

Shameti e Pejiç – Sipas Kukësit, janë të vetmit lojtarë që kanë përfunduar gjithçka dhe janë të lirë, pa asnjë detyrim kontraktual. Shameti, tashmë 33 vjeç, ka luajtur 4 sezonet e fundit në Kukës dhe tashmë është në pritje të ofertave. Dje Gjici tha se Shameti do të qëndrojë, por realisht nuk ka ende marrëveshje. Ndërkaq, Pero Pejiç, tashmë 34 vjeç, vjen nga një kampionat me 28 gola, por fatale për të mund të jetë penalltia e humbur ndaj Sherifit. Gjici nuk ka ndërmend ta mbajë më, por ka dy probleme: trajneri, kushdo qoftë ai, mund ta kërkojë me çdo kusht sulmuesin, ndërsa gjetja e një pasuesi do të jetë mision më i vështirë nga sa mendon Gjici.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *