Kanë meritën më të madhe në suksesin e Tiranës, koha për t’i hequr kapelen Orges Shehit dhe Tefik Osmanit

Tirana po shkon e sigurt drejt titullit të dytë kampion radhazi në Superiore. Bardheblutë po arrijnë që të mposhtin konkurrencën me Partizanin, duke mos ia lënë në dorë derbit titullin. Kryeqytetasit kanë shkelur frenat dhe po kërkojnë shkëputjen në xhirot e fundit të garës, duke ia dalë me sukses deri tani.

Nëse ka një peng të madh te kjo skuadër është padyshim Europa dhe shija e keqe që i la sezoni i vjetshëm. Menjëherë sapo të mbyllet ndeshja e fundit e Superiores, me siguri që te Tirana nuk do të ketë asnjë ditë pushim. Ata do të mendojnë për Europën që të kthehen më të fortë dhe të heshtin të gjithë zërat kritikë që i zhytën jo pak nën tokë pas shijes së hidhur që i la aventura e mëparshme duke i hedhur poshtë edhe sezonin fantastik të kampionatit.

Merita kryesore deri tani e suksesit në kampionat i shkon padyshim Orges Shehit. Shqipëria është një vend i vështirë për trajnerët, me risk të lartë. Në jo pak raste kemi parë edhe momente si ai Shpëtim Duros që u largua kur e ngriti ekipin nga vendi i fundit te ai i Europës apo zyrtarizime dhe shkarkime brenda pak kohësh. E për më tepër në një ambient që ziente si ai i Tiranës, ku presioni ishte i madh nga të gjitha krahët, Orges Shehi e përballoi me mjeshtëri.

Vlera e dikujt kuptohet në mungesën e tij! Puna e Shehit duket kaq shumë normale në këtë kohë, pasi na ka mësuar me këtë normalitet, por nëse hedhim pak kokën pas nga shkuara, po arrihet thuajse një “mrekulli”, nuk do ta ekzagjeronim nëse do ta quanim të tillë. Me siguri që edhe tifozët do t’ia kuptojnë vlerën në momentin që në merkaton e verës të dalin zërat e largimit, siç ndodh gjithmonë.

Tashmë është e qartë që Tiranën nuk e mban Redon Xhixha, nuk e mban Ernest Muci, nuk e mban Ismajlgeci dhe as Celhaka, ajo ka vazhduar rrugëtimin e saj po njësoj, megjithëse “yjet” nisën t’i shkëputeshin, një i ri shkëlqente gjithmonë. Koha po i jep të drejtë edhe Tefik Osmanit. Puna e drejtorit të bardhebluve është për t’u përgëzuar. Pavarësisht largimeve të rëndësishme të Tiranës në merkaton e janarit dhe në momentin kulminant të sezonit, Osmani zgjodhi zëvendësues me të njëjtën peshë.

Basti me Kristal Abazajn po rezulton i fituar, në finalet e kampionatit është pikërisht ky futbollist që po i jep Tiranës titullin kampion. Por e gjitha kjo nuk mjafton, Osmani po pret me padurim momentin kur bardheblutë të dalin në fushën e blertë për Europën, t’ia dalin me sukses dhe më pas të lëshojë britmën e çlirimit. Deri atëherë, Tirana duhet të fitojë titullin kampion, tani kjo është detyrë shtëpie, jo më objektiv. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online