“Kanë mbetur edhe 34 ditë”, De Biasi i drejtohet futbollistëve të Azerbajxhanit: Vendoset nga sjellja juaj, nga krenaria për flamurin

Gianni De Biasi i dha fund pushimeve të gjata dhe firmosi një marrëveshje 1-vjeçare me Kombëtaren e Azerbajxhanit. Një përfaqësuese e vogël, me të cilën do të përpiqet të përsërisë të njëjtin sukses si me Shqipërinë. Puna e tij do të nisë në shtator me Ligën e Kombeve dhe vetëm një muaj i ndan nga momenti kur do të udhëheqë lojtarët nga pankina.

Për këtë arsye trajneri Italian ka vendosur t’u drejtohet futbollistëve përmes rrjetit social “Facebook”. De Biasi u bën të qartë dëshirën që ka për t’i takuar së shpejti, ndërsa thekson se ftesa e tij për në Kombëtare është e gjitha në dorën e tyre.

“Përshëndetje djem! Kanë mbetur edhe 34 ditë për të bërë debutimin tuaj në Ligën e Kombeve. Ende nuk e njohim njëri-tjetrin dhe unë po pres të takohem me ju, sepse së shpejti do më duhet të vendos se cili do të jetë pjesë e Kombëtares sonë. Zgjedhjet do të vendosen nga ju dhe sjellja juaj, dëshira për të dhënë gjithçka për ekipin tonë dhe të jeni krenar për të ngritur lart ngjyrat e flamurit”, shkruan Gianni De Biasi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *