Mes pesë emrave kandidatë për stolin e Vllaznisë dhe për drejtor sportiv, ai që spikat dhe në një fare mënyre shkakton pak çudi është Engin Firat. Vetëm 48-vjeçar, por me një CV të madhe. Aq sa është normale të pyesësh: Si ka mundësi që një trajner, i cili ka punuar në nivele shumë të larta dhe me klube elitare, të pranojë të marrë pjesë në fazë përzgjedhëse për postin?
Turko-gjermani ka një të kaluar të tillë, që edhe nëse një klub shqiptar do të mendonte t’i ofronte detyrën, përgjigjja negative do të ishte e justifikuar. I lindur në Stamboll, por i formuar në Gjermani, Firat e nisi karrierën te Samsunspori në vitin 1997, si asistent i legjendës gjermane Horst Hrubesh.
Një nxënës i mirë dhe premtues, me dyert e karrierës që i’u hapën menjëherë. Shumë eksperienca të shkurtra, por intensive dhe me skuadra elitare. Nga stoli i Antaliasor, për të punuar për dy vjet në stafin e Ajntraht Frakfurtit (nga viti 2000 deri më 2002) dhe më pas si asistent te Fenerbahçe në sezonin 2002-2003.
Aspak keq si fillim, për një trajner të ri në moshë dhe me pak eksperiencë. Engin Firat u rikthye në Gjermani te Ahlen, ndërsa në tentativën për të fituar sa më teopër eksperiencë mori edhe drejtimin e Inçeon Junajtid, klubi më i madh në Korenë e Jugut. Më tej kalime mes Turqisë (Sivaspor dhe Erçiespor), futbollit në Iran ku drejtoi (Saipa-n, përfaqësuesen e këtij vendi dhe klubin më të madh, sepahan).
Në 2014-ën refuzoi postin e asistent trajnerit te Gallatasaray, sepse nuk donte të punonte me teknikun italian Çezare Prandeli, ndërsa gjatë asaj kohe u përfol edhe si kandidat për stolin e Bosnje Hercegovinës.
Së fundmi Engin Firat ka punuar te Kardemir Karabukspor ndërmjet sezoneve 2015 dhe 2017, ku ishte menaxher i përgjithshëm i klubit, të cilin e riktheu në Super Ligën turke. Pas emërimit si zv.president i Shoqatës Turko-Europiane të Trajnerëve në vitin 2016, sezonin e kaluar ai punoi te Dallas Siti FC në Kategorinë e Katërt të futbollit amerikan.
Te Vllaznia erdhi si një kandidat i rekomanduar nga legjenda shkodrane, Rudi Vata. Përveç postit të trajnerit, ai është në garë edhe për drejtor sportiv, për të vendosur eksperiencën e tij në shërbim të riorganizimit të klubit. Megjithë karrierën e pasur dhe larg realitetit të futbollit shqiptar, “nxënësi” i legjendës Hrubesh dhe miku i ish-kapitenit kuqezi, Vata, kërkon të kthejë Vllazninë në vendin e saj në elitë.