Kamza / Ymeraj: Nuk ka nënvlerësim, ndaj Lushnjes duam fitoren

0

Mesfushori i Kamzës: Kemi punuar mirë gjatë javës. Jemi me këmbë në tokë. Pjesa më e vështirë nis tani

Nëse Kamza është kthyer në surprizën e sezonit në Superiore, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ersil Ymerajn. Mesfushori është shfaqur rishtas në Superiore ka debutuar sivjet me ekipin e ardhur nga Kategoria e Parë. Ai ka arritur të kthejë vëmendjen nga vetja me përformanca të mira dhe golat vendimtarë që ka shënuar. Ndeshjen ndaj Lushnjes e konsideron mjaft të rëndësishme, pasi skuadra ka nevojë të kthehet te fitorja. 23-vjeçari, pavarësisht se është ndër më të rinjtë në skuadër, kërkon që ekipi të mos jetë euforik, por të futet me uri në fushë. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Ymeraj tregon për situatën që po kalon skuadra e Kamzës dhe ndeshjen e radhës me Lushnjen. “Dy barazimet me Kukësin dhe Skënderbeun konfirmuan edhe njëherë momentin e mirë që po kalojmë. Megjithatë, ne nuk jemi të kënaqur, pasi duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë. Kënaqemi kur shohim emrat e kundërshtarëve që barazuam, por jo me pikët”, – shprehet fillimisht ai. Më tej, shkodrani flet edhe për ndeshjen e radhës me Lushnjen. “Duhet ta vlerësojmë maksimalisht Lushnjen dhe të futemi në fushë me urinë dhe dëshirën që kemi shfaqur në ndeshjet e tjera. Nuk mund të jemi euforikë, pasi edhe në ndeshjen e fazës së parë u ndalëm në barazim. Trajneri Ndreu, por edhe drejtuesit na e kanë vënë në dukje që të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi pjesa më e vështirë tani ka nisur. Besoj se do të arrijmë të marrim fitoren, pasi kemi një ekip të mirë dhe po punojmë shumë”.
23-vjeçari nuk pranon të flasë për objektivat e skuadrës. “Nuk dua të flas për objektiva. Ne duhet të punojmë dhe të mbledhim sa më shumë pikë. Në fund do të bëjmë llogaritë dhe të shohim se ku do të mbërrijmë”. I pyetur në lidhje me debutimin në Superiore, Ymeraj mendon se duhet të punojë akoma më shumë për të rritur nivelin e tij. “Ky sezon ka qenë debutimi im në Superiore. Niveli është më i lartë dhe konkurrenca në ekip po ashtu. Po stërvitem fort që të tregoj përformanca të mira dhe të kem vetëm rritje”, – përfundon Ymeraj për “Sport Ekspres”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.