Kamza ka afruar disa lojtarë të rinj e më të ardhme në javët e fundit, si dhe kanë arritur marrëveshjen për rinovim me shumicën e titullarëve të sezonit të fundit, çka do të ishte një veprim i zgjuar, në një kampionat mjaft të egër, ku sërish Kamzën e pret një betejë e gjatë për mbijetesë.
Megjithatë, në Kamzë e kanë marrë shtruar, ndoshta më shumë sesa duhet, edhe pse kampionati nis pas më pak se tre javësh. SportEkspres mëson se shumica e titullarëve ende nuk kanë firmosur kontratat e reja dhe nuk ka filluar ende një proces që në Shqipëri, si askund tjetër në Europën që duam të arrijmë, kryhet në ditët para fillimit të kampionatit.
Ndonëse kontratat quhen 1-vjeçare, realisht nisin në gusht dhe përfundojnë në maj, ndaj shifrat e trumbetuara për pagat shpesh janë false dhe kontratat nuk respektohen.
Duke parë amullinë e krijuar dhe mungesën e komunikimit të qartë, disa lojtarë te Kamza po mendojnë edhe largimin. Rivalët e Superiores, që ende kërkojnë lojtarë, kanë kuptuar se te Kamza nuk i ka punët në vijë.
Lojtarë si Idrizaj, Frashëri, Rezi të tjerë kanë marrë që tani sinjale nga klubet e tjera të Superiores dhe nuk kanë ndërmend të presin më, duke parë se korriku mbaroi. Nëse ndodh që të largohen disa nga emrat që ka planifikuar trajneri Devolli, atëherë gjithçka duhet bërë nga e para dhe koha nuk mjafton, përveçse nuk ka më lojtarë cilësorë në qarkullim.