Kamza është gati për ndeshjen me Skënderbeun dhe synon të marrë tre pikët, edhe pse përballë do të ketë një ekip që pretendon titullin kampion. Gjithsesi kjo nuk e ndal skuadrën e Ramadan Ndreut për të synuar më të mirë. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, tekniku krutan vlerëson kundërshtarin, por duke qenë se është një ndeshje shtëpiake, duke kaluar me sukses. Ndreu i bën thirrje tifozëve për mbështetje në këtë sfidë që është e para për ta në fushën e tyre këtë sezon. “Dihet që Skënderbeun është një ndeshje shumë e vështirë. Kemi të bëjmë me një kundërshtar që në përbërje ka futbollistë shumë cilësorë, ndërkohë që edhe prej garimit në kupat e Europës ka ritëm tjetër me skuadrat e tjera. Gjithsesi ne kemi objektivat tona në këtë ndeshje dhe do bëjmë maksimumin që të fitojmë. Fakti që luajmë në shtëpi na e kthen në njëfarë mënyre në detyrim. E sigurt është që impenjimi do të jetë në nivelin e duhur për të dhënë më të mirën. Në fund shpresojmë edhe ta marrim më të mirën. Është e vështirë, por kemi besim. Me mbështetjen e tifozëve, të cilët i ftoj të jenë sa më të shumtë në stadium nesër (sot), gjithçka mund të bëhet. Do jetë një ndeshje e bukur, por na duhen pikë. Uroj të jemi ne fitimtarët”, deklaroi Ndreu pas seancës së djeshme stërvitore.
PLAKU – Ndaj Skënderbeut mungesa e madhe do të jetë Sebino Plaku, i cili nuk mund të luajë për shkak të një gjyqi që ka sot në Poloni dhe i duhet të ishte atje i pranishëm. Ish-sulmuesi i Skënderbeut normalisht që u prish planet kamzalinjve, teksa në vendin e tij në majën e sulmit do të luajë Stevan Raçiç. Por edhe kjo lëvizje ka pasojat e veta, pasi trajnerit Ndreu i duhet të ulë një të huaj në stol. Me shumë mundësi njëri mes Lelis dhe Fushtar do t’i lirojë vendin Taulant Kuqit në qendër të mbrojtjes. Opsion tjetër është edhe aktivizimi i vlonjatit në mesfushë, me Arrabal që do të përfundonte në stol.
SIGURIA – Në stadiumin e Kamzës janë vendosur edhe kamera në tribuna, kjo një kërkesë e forcave të rendit. Zgjidhja për garantimin e sigurisë në këtë ndeshje është gjetur. Në ambientet e brendshme të stadiumit do të ketë forca sigurie private, ndërkohë që Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri jashtë stadiumit, praktikë kjo që ndiqet thuajse në të gjitha stadiumet europiane.
Dilema, Dita apo Muzaka në mesfushë
Trajneri Daja nuk kishte vendosur dje 100% për formacionin, pasi ka pasur një dilemë për mesfushën. Janë dy kandidatura për një vend: Bruno Dita dhe Gjergji Muzaka. Skema e lojës është 4-1-4-1 dhe nis me Shehin në portë, për të vazhduar me Vangjelin, Micin, Radasin dhe Aliti në mbrojtje. Mungon Jashanica i dmëtuar, ashtu si Osmani, që do të zëvendësohet nga Nimaga. Por dje ka shfaqur probleme shëndetësore edhe sulmuesi çek, Martin Neshpor, i cili po kalon një gjendje virale dhe ndoshta mund të sakrifikojë për të qenë në stol. Vetëm nëse Daja mendon të luajë me dy sulmues, mund të jetë në fushë edhe çeku. Gavazaj dhe Xhejms janë të sigurt nga krahët, ashtu si dhe Lilaj në qendër. Futbollisti që do të plotësojë 4-shen e mesfushës është njëri mes Ditës dhe Muzakës. Në sulm do të jetë Ali Soue.
Formacioni i mundshëm i Kamzës
Halilaj – Idrizaj, Fushtar, Kuqi, Neziri – Imeri, Arrabal, Zefi, Fukui – Mehmeti – Raçiç
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Aliti, Mici – Nimaga – Gavazaj, Lilaj, Dita, Xhejms (Muzaka) – Soue