Kamza mirëpret ndërprerjen, edhe Mustafa drejt rikuperimit

Te Kamza gjërat mund të thuhen me plot gojë se po shkojnë vaj. Me 14 pikë të grumbulluara, debutuesit janë forca e katërt e Superiores, me vetëm një pikë më pak se Flamurtari i vendit të tretë dhe 2 më pak se kampionët e Kukësit që ndodhen në vendin e dytë. Fitorja me Partizanin ishte një tjetër sinjal i fortë se në Superiore nuk kanë ardhur për të qenë kalimtarë. Jo vetëm kaq, por siç thuhet oreksi vjen duke ngrënë dhe nga pretendimet për mbijetesë mund të synohet diçka më shumë, megjithatë fillimisht Kamza duhet të sigurojë pikët e mbijetesës. Nga Partizani te Kukësi, një tjetër skuadër me pretendime do të jetë mysafire në shtëpinë e të besuarve të Ramadan Ndreut. Sërish do të kërkohet fitorja, pasi ndeshjet në shtëpi shihen si detyrim për Kamzën, që me Kukësi do të kërkojë maksimumin edhe për faktin se në “Zeqir Ymeri” në fazën e parë vendosi një 11-metërsh. Normalisht që një tjetër rezultat pozitiv përballë verilindorëve do e konsolidonte pozitën e Kamzës në krye të tabelës.

NDËRPRERJA E KAMPIONATIT

Shpesh thuhet se një ndalesë e kampionatit ia prish ritmin një skuadre në superformë, por realisht Kamza e ka mirëpritur pushimin e shkurtër, pasi 10 ditë mjaftojnë për të rikuperuar energjitë fizike, por edhe ndonjë lojtar me probleme fizike. Deri tani Kamza ka luajtur shpesh me formacion thuajse të njëjtë dhe disa lojtarë edhe kanë sakrifikuar për të zbritur në fushe. Për ndeshjen e javës së 10-të të Superiores Kamza mund të gjejë Argjend Mustafën. 25-vjeçari nuk luan që pas ndeshjes hapëse në Kukës, teksa u aktivizua vetëm 26 minuta. Mesfushori kosovar me shumë gjasa do të jetë në dispozicion të trajnerit Ramadan Ndreu për përballjen me kuksianët. Mustafa luan prej vitesh në kampionatin shqiptar dhe pas dy sezonesh te Laçi vendosi që të nisë një tjetër aventurë në radhët e Kamzës. Edhe pse u konsiderua si një nga afrimet më të rëndësishme të Kamzës, pësoi një dëmtim që e bëri të humbiste të gjitha ndeshjet e fazës së parë, me përjashtim të minutave që pati në Kukës. Nëse stafi mjekësor do të japë dhe konfirmimin e fundit, me shumë gjasa Mustafa do të ketë minuta përballë kampionëve. Rikthimi i mesfushorit shton alternativat në mesfushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *