Kamarata ka mbyllur ditën e sotme aventurën e tij te Dinamo. Trajneri italian i mori kryeqytetasit në fund të tabelës duke luftuar për mbijetesë dhe arriti t’i shpëtonte edhe për një tjetër sezon në Kategorinë e Parë. Kampionati i ri e gjeti “nëndetësen“ me një fytyrë tjetër, teksa e mbyllën këtë vit kalendarik si kampionë të dimrit. Megjithatë Superiorja duket se e ka joshur së tepërmi Fabricio Kamaratën, i cili dha dorëheqjen nga Dinamo dhe është pranë akordit me Apoloninë e Fierit.
E në kampin blu nuk kanë ndërmend të humbin shumë kohë dhe kanë përveshur mëngët për të sjellë një tjetër trajner në krye të pankinës. Sipas “Report TV“, dinamovitët do të bëjnë një goditje të madhe, duke ulur në stol një emër që në të shkuarën e tij ka fituar trofe të rëndësishëm si Serie A dhe Champions League. Por sidoqoftë emri mbetet ende sekret dhe pritet të zbulohet në ditët e para të janarit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/