“Kam pasur ofertë nga jashtë Shqipërisë por nuk ika”, Grent Halili: Më shumë jam dëmtuar nga etiketimi si djali presidentit

Grent Halili i befasoi të gjithë pak kohë më parë, duke shpallur tërheqjen e tij nga futbolli në moshë fare të re. Në një rrëfim për mikrofonin e “Top Channel“, ish-sulmuesi i Tiranës zbulon arsyet që fshihen pas “varjes së këpucëve në gozhdë”.

Intervista e plotë me gazetarin Endi Tufa për “Top Channel“

Nuk ka qenë një vendim i lehtë, futbollistët dhe ata që luajnë sport, e dinë shumë mirë që në moshë kaq të re, të marrësh një vendim të tillë, nuk është e lehtë. Këtë vendim e kam menduar gjatë, pa filluar faza përgatitore e mendova dhe në fund e bëra publik vendimin pas fazës përgatitore, për arsye që janë ambicje të reja në jetën time.

Refuzimi për të luajtur jashtë futboll…

Pata një ofertë jashtë Shqipërisë dhe për arsye familjare nuk e pranova, duke menduar që të tërhiqem nga futbolli i luajtur për të vazhduar diçka tjetër, po në brendësi të këtij klubi. Unë si person mendova që kam më tepër rëndësi të merrem me këtë gjë, se sa me futbollin. Familjarët kanë qenë personat e parë, që jua kam thënë vendimin tim. Por përpara se të bëhej publike, telefonova trajnerin dhe biseduam gjatë bashkë. Ai më dha kurajo dhe e përshëndeti vendimin tim dhe më dha kurajo për nismën që kisha marrë.

Si ishte biseda me babain tuaj për vendim?

Babai asnjëherë në asnjë vendim në jetën time nuk më ka penguar, sigurisht si çdo prind më ka këshilluar, por ama nuk m’u bë pengesë. Madje tha se shumë mirë mirë ke bërë, pasi edhe unë kam nevojë për njerëz të besuar afër meje. Edhe unë vetë kisha parë se ai kishte nevojë për njerëz të besuar afër. Edhe kur isha futbollist kam parë shumë gjëra, por që asnjëherë nuk kisha reaguar, që të mos dukesha si çuni i presidentit, por nuk po duroja do të më, dhe më lindi dëshira të bëja këtë gjë, që të jem këtu edhe për ta këshilluar për diçka më të mirë.

Raporti me mamanë…

Gjithmonë kam përmendur babain ose motrën tim, por dua të përmend mamanë, e cila ka qenë e para fare, që ia thashë vendimin tim. Sigurisht nuk e priti mirë dhe u mërzit, por në fund më mbështeti. Dua ta përmend dhe ta falenderoj pamasë për përkushtimin e saj të madh gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk i thonë pak, 13 vite që një mama të presi fëmijën t’i lajë rrobat, takat, një përkushtim i madh, ushqimi në kohën kur duhet dhe si duhet, një regjim që nuk më ka munguar asnjëherë, prandaj dua ta falenderoj dhe shpresoj që ta bëj jo atë vetëm, por edhe babain dhe motrën time, krenarë për hapin tim të radhës në jetë.

Jeni ndjerë i avantazhuar apo i penalizuar nga fakti i të qenurit i biri i presidentit?

Të them të drejtën nuk jam prononcuar asnjëherë, nuk jam ankuar asnjëherë dhe s’do të ankohem, por që i avantazhuar nuk jam ndjerë asnjëherë dhe këtë e them me bindjen e plotë. Madje jam dëmtuar, nuk po flas për paragjykime jashtë fushës, por për ato brenda fushës nga trajnerët dhe drejtuesit që kanë qenë brenda klubit tonë. Por unë me qetësinë dhe butësinë time, që i kam ngjarë babait, kam duruar, kam heshtur, por që nuk do t’i harroj këto gjëra. Me qetësi çdo gjë do të shkojë në vendin vet.

Mardhënia juaj me tifozët? SI ndiheshit kur një pjesë e tyre ju refuzonin

Unë nuk jam me Tironën prej familjes sime, ajo është një arsye tjetër sigurisht. Unë jam me Tironën, sepse jam rritur në këtë klub që 10 vjeç. Unë edhe në detyrat e reja që do të marr, do ta bëjë sigurisht për familjen tim, por në radhë të parë për Tironën. Unë këtë emër, që mund të kem sot, e kam sigurisht falë familjes time, por e kam edhe prej këtij klubi. Sa i përket tifozëve, mund të them që jam ndjerë keq kur dëgjoja ofendime, pasi asnjëherë nuk e kuptoja pse vinin. Por e theksoj, që edhe pse me këto ofendime, që ndoshta edhe sot e kësaj dite tifozët mund të kenë, dhe kur them tifozët, nuk e kam me 120.000 tifozët që ka Tirona, por një grup njerëzish, por edhe për këta njerëz nuk është se do të kem hatërmbetje. Tifozi, në të mirë apo në të keqe, unë mendoj që ka të drejtë. Kam dëgjuar dhe dua ta theksoj edhe diçka tjetër, që është spekulluar, se një prej arsyeve që jam larguar ka qenë prej tifozerisë së Tiranës. Unë nuk jam tërhequr në asnjë moment prej tifozëve të Tiranës, apo prej dikujt apo për ndonjë arsye tjetër. Të bësh një profesion prej 13 vitesh dhe ta lësh prej disa sharjesh, ndoshta jo vetëm unë, por askush nuk do të hiqte dorë. Kjo ka qenë ëndrra ime, e realizova aq sa e realizova, ndoshta mund të bëja edhe më mirë, por dua ta theksoj se unë nuk jam tërhequr prej tifozëve.

Si e keni ndjerë faktin që shpesh qarkullonin fjalë që për hir tuaj janë penalizuar drejtues apo trajnerë?

Eshtë komentuar edhe kjo gjë, por unë mund t’ju them, hapni statistikat. Unë jam sjellë si profesionist, nuk dua të flas për veten, por edhe trajnerët që kanë qenë, ndoshta nesër pasnesër mund të pyeten, por besoj që kjo që po them, është e saktë. Unë nuk di që t’i jetë thënë ndonjë trajneri ndonjëherë që unë të aktivizohem, si nga ana ime, apo nga ana dikujt tjetër. Madje, madje, kur kam qenë për t’u aktivizuar, jam tërhequr vetë, që të aktivizohej dikush tjetër, për të mos patur hatërmbetje në grup. Por shihni statistikat, në Kategorinë e Parë po themi, ku mund të luajnë shumë njerëz, që nuk e meritojnë.

Mundësia në Kategorinë e Parë

Ze Maria, në 34 ndeshje, mos gaboj, më ka aktivizuar vetëm në 10 apo 15 ndeshje. Kjo ka qenë edhe për fajin tim, sepse unë gjithmonë mundohem të fajësoj veten, sepse le të themi nuk kam qenë i zoti të luaja më shumë, por nëse do të ishte që trajnerët ndikoheshin nga kjo gjë, unë do të luaja në Kategorinë e Parë ndeshjet e plota, sepse ne kishim një ekip shumë herë më të mirë dhe nuk do të prishte punë, nëse do të luante djali i presidentit, por as kjo nuk ndodhi.

Nga cili trajner keni mësuar më tepër, kë vlerësoni më shumë dhe kë më pak?

Unë kam mësuar nga të gjithë trajnerët që kam patur, që kur isha 10-vjeç me profesor Krenar Alimemetin e me radhë, por besoj që trajneri që e vlerësoj më tepër, jo vetëm si trajner, por edhe si njeri që është i drejtpërdrejtë, i hapur dhe që i thotë gjërat në sy, është profesor Ges Shehi, trajneri aktual i Tiranës, kurse trajneri që kam kaluar më keq, apo që kam periudhën jo të mirë ka qenë profesor Ze Maria. Për mendimin tim ka qenë një trajner shumë i mirë, por unë mendoj, se kishte më tepër problem menaxhimin apo komunikimin me lojtarët.

Momenti juaj më i mirë dhe më pak i mirë në karrierë?

Një nga momentet më të mira në karrierën time ka qenë padyshim titulli kampion, një ëndërr e bërë realitet, ndërsa momentin më të hidhur më mirë s’po e përmendim, sepse më mirë të shohim përpara. E vërtet është që e shkuara nuk harrohet, mund të bësh një 100 të mira dhe një të keqe, por ajo mbahet mend. Megjithatë ka qenë një mësim. Por viti 2017 ka qenë një moment i trishtë, jo vetëm për mua, por për të gjithë klubin e Tiranës. Megjithatë unë mendoj që le të shohim atë të mirë që është duke bërë ky klub, duke filluar nga dy apo tre vitet e fundit.

SI ju duket Tirana e këtij viti?

Eshtë ende herët për të folur, jemi realisht në vend të parë, por është më e vështirë që ta mbash vendin e parë, që ta mbash këtë ritëm. Më ngrof shumë ky grup dhe mund të them që nga mosha 16-vjeçare e deri më sot, nuk kam parë një grup më të mire, në raport me njëri-tjetri se ky. Dua të theksoj që klima në një ekip është thelbësore, që skuadra të eci mirë. Ky mendoj që është çelësi i suksesit deri tani i joni.

Nga lojtarët kë do të veçonit?

Do të veçoja Elis Bakajn, i cili që në moshë të vogël ka qenë pjesë i ekipit tonë, ka qenë në një farë mënyre idhulli im, sepse e kam patur mundësinë ta shihja edhe si stërvitej. Një lojtar për ta marrë si shembull brenda fushë, sepse jashtë fushe ka qenë pak problematik. Ndërsa shembull edhe për jashtë fushe kam marrë nga Erando Karabecin, sepse ka qenë vërtet djalë fantastik jashtë fushe dhe profesionist në fushë.

Për këtë të vjen më keq që nuk luan futboll

Më shumë keq për këtë vendim që kam marrë, më vjen keq për gjyshin, sepse që në moshën 10-vjeçare ka qenë ai që më çonte në stërvitje dhe këtë gjë e ka bërë deri në moshën 18-vjeçare. Më pas, mosha bën të veten, por që nga ajo moshë ai më ka ndjekur gjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *