“Kam dalë kampion edhe me Skënderbeun, por ky i veçantë”, Vila tregon emocionet: 27 vite pritje nuk janë pak

Kategoria Superiore ka ulur sot siparin e këtij sezoni sfilitës, por që ka dhuruar emocione deri në minutat e fundit të tij. Si asnjëherë më parë 4 ekipe kanë qenë në vorbullën e titullit kampion përgjatë të 36 javëve. Megjithatë në fund ajo që ia ka dalë ka qenë Teuta. Apolonia ka qenë e pafuqishme përballë durrsakëve, të cilët kanë qenë më të motivuar se kurrë duke shënuar 6 herë në portën kundërshtare. Një rezultat i tillë ia bënte të pamundur Vllaznisë që të shpresonte për të ngritur lart trofeun, pavarësisht fitores 2-0 kundër Laçit. Në përfundim të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë deklaratat e tyre për “Gol pas goli” në “Supersport”.

Emiliano Vila (Teuta): “Kam dalë kampion me Dinamon dhe Skënderbeun. Por ky titull është i veçantë, sepse jam rritur këtu. Kam dalë nga akademia e klubit të Teutës. Pas 27 vitesh titulli kampion është kthyer këtu. Jo vetëm përpara kësaj ndeshje, por që te ndeshja me Partizanin ka pasur shumë tifozë që na kanë kërkuar titullin. 27 vite nuk janë pak. Është një titull deri në sekondat e fundit. Oreksi vjen duke ngrënë, por Hasanbelliut dhe Teutës i ka munguar. Është koha që edhe presidenti të festojë sot“.

Arapi (Teuta): “Është një projekt 3-vjeçar. Ka nisur me Bledi Shkëmbin dhe vijoi me Martinin. Kemi bërë mirë. Kapëm kupat e Europës, fituam Kupën dhe Superkupën. Këtë sezon duke parë arritjet dhe buxhetin më të lartë synuam titullin kampion. Nuk e fshehëm që nga dita e parë. Nga cilësia ndoshta nuk ka qenë më i miri, por nga konkurenca padyshim që ka qenë më i miri. Po mos ta mbyllnim si duhet kampionatin do të kishim peng. Të gjithë ekipet kanë gabuar. Falë Zotit ia arritëm ta fitonim këtë titull me luftë dhe mund. Unë e kam thënë që nëse Teuta do të fitonte një titull, është fillimi i një titulli”.

Martini(Teuta): “Një vit i gjatë dhe i stresuar. Këtë muajin e fundit më është dukur vetja sikur isha i intubuar te “Shefqet Ndroqi“. Një sezon i çmendur që fatmirësisht u kurorëzua me titullin kampion. Po ta keni vënë re pas çdo humbje apo barazimi zhgënjyes në ndeshjen pasardhës kemi treguar forcë. Ne dhe Vllaznia kemi qenë ekipi jo me cilësitë e të tjerëve, por kemi qenë më të lidhur me njëri-tjetrin. Dejvi na ka dhënë pikë të rëndësishme. Ka fituar ndeshje me aftësitë e tij. Kjo është kënaqësia më e madhe.

Kanë qenë disa pengje. Ky ishte një kampionat i çmendur totalisht. Kam qenë shumë i mërzitur pas ndeshjes në Kupë me Skënderbeun. Ishte një humbje që nuk e prisnim. Ka qenë ndeshja me Tiranën që e humbëm 2-0, por edhe ndeshja me Partizanin. Unë do shkoj në Shkodër, mezi pres ditën e hënë. Do jem në stadium dhe shpresoj të fitojnë Kupën. Për sa i përket të ardhmes unë do mbyll telefonin nja një javë dhe do pushoj. As më ka shkuar ndërmend të diskutoj për kontratën tashmë. Ndjeva frikë te goli i Mihanës, sepse presidenti Kokëdhima kishte bërë mbledhje dje me skuadrën. Kishte bërë mbledhje, shumëzime e llogari. I kishte motivuar lojtarët. A thua se nuk kishte mjaftueshëm javë për të mbledhur ekipin e duhet ta bënte në javën e 36. Kokëdhima e do shumë Shkodrën, i ka dhënë provat. Megjithatë, faleminderit se na motivoi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *