“Kam 3 ditë pa gjumë, nuk i kthej dot më mesazhet”! Egbo: Nigeri, luftojmë një ditë për të fituar Botërorin!

Egbo vazhdon të jap deklarata jashtë vendit tonë dhe të jetë njeriu i momentit sa i përket trajnerëve shqiptarë. Përtej suksesit të arritur me Tiranën duke fituar titullin kampion dhe historisë së bukur sesi mori drejtimin e skuadrës, më interesante e ka bërë këtë arritje fakti se Egbo është afrikani i parë që arrin të fitojë në Europë. Ndërkohë në një intervistë teksa ishte në lidhje “Skype” me “Channel Television”, Egbo i shkel syrin Nigerisë duke premtuar edhe luftën për Botërorin.

“Nuk ishte një festë vetëm për mua ky sukses, por për të gjithë afrikanët dhe nigerianët. Nuk e dija që isha afrikani i pari që fitoja në Europë titullin. Isha i fokusuar vetëm në punën dhe suksesin me Tiranën. Më pas më vijnë shumë mesazhe në telefon që ma treguan një gjë të tillë. Kam marrë aq shumë mesazhe sa nuk po i kthej dot përgjigje të gjithëve. Madje nuk do t’i kthej dot më pasi po vazhdoj edhe punën për ndeshjen e radhës me Tiranën, nuk kam shumë kohë. Kam tre ditë pa gjumë. Por është diçka vërtet e bukur.

Kur mora edhe mesazhin e urimit nga Federata Nigeriane e Futbollit thashë me vete: “Uau, tani ky sukses ka shkuar larg”. Sigurisht që do të doja të drejtoja Nigerinë, të kontriboj për vendin tim. Do të doja që një ditë të luftonim për të fituar Botërorin, një gjë e cila nuk ka ndodhur për një kohë të gjatë. Pavarësisht se jam në Europë, nuk ndihem i tillë, i përkas vendit tim dhe nuk më ndryshon pasaporta”, u shpreh mes të tjerash Egbo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *