Zakonisht shqiptarët përfshihen nga gjaknxehtësia dhe mund të kenë gjithçka tjetër, përveçse të mënyrën e të menduarit dhe reaguarit si pjesa tjetër e Europës. Nuk është rastësi që shumë karriera janë djegur nga futbollistët shqiptarë vetëm nga mënyra e sjelljes së tyre.
Përshembull, Eros Grezda mendoi se mund t’i jepte ca leksione të mira futbolli duke i ngritur zërin Steven Gerrard në kohën kur ishte te Rangers. Në atë moment, Erosi thjesht nënshkroi varjen e këpucëve në gozhdë për nivelet e larta.
Për këtë arsye sjellja e Marash Kumbullës te Roma është padyshim një fenomen i çuditshëm për t’u marrë në studim. Mbrojtësi shqiptar është duke “ngrënë” inat me veten dhe kërkon që të fitojë besimin e Mourinho për formacionin titullar.
Portugezi nuk ndryshon asgjë duke i besuar sërish treshes së tij, Mancini-Smalling-Ibanez. Për më tepër që Mourinho ka kërkuar edhe një mbrojtës tjetër nga klubi, për të mos pasur vetëm Kumbullën si zëvendësues. Por sërish lojtari i Kombëtares vendos që të punojë me kokën e ulur, pa u dorëzuar në asnjë moment dhe duke pritur shansin e tij. /Sport Ekspres/