Kroacia arriti një sukses të paimagjinueshëm duke shkuar deri në finalen e Kupës së Botës, por aty u ndal nga Franca, e cila mori trofeun. Gjithsesi, ishte një sukses shumë i madh për skuadrën nga Ballkani, që pati dhe probleme të brendshme gjatë rrugëtimit të saj në Rusi.
Tekniku Daliç përjashtoi Nikola Kaliniç vetëm pak ditë pasi kishte nisur kompeticionin, pasi ai kishte refuzuar që të aktivizohej si zëvendësues. Gjithsesi, Federata kishte vendosur që t’i dërgonte medaljen e argjendtë, por sulmuesi nuk e ka pranuar. Vetë ai ka folur për këtë çështje gjatë prezantimit tek Atletiko Madrid, ku ka treguar arsyet se pse ai nuk e morri medaljen.
“Ajo që ndodhi në Rusi ndodhi dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Trajneri nuk më kishte më në plane dhe unë e pranova vendimin e tij. Pse nuk e pranova medaljen? Nuk e kam dhënë kontributin tim me skuadrën dhe nuk mund ta pranoja. Nuk isha pjesë e suksesit dhe duhet ta lëmë pas tani atë çështje”.