Laçi ka lënë pas Kukësin në tabelën e renditjes dhe tashmë e sheh kreun vetëm 6 pikë larg. Kurbinasit janë një nga skuadrat që po kalojnë formën më të mirë javët e fundit. E për të vështirësuar situatën për ta mendon kalendari. Ky i fundit sidon bardhezinjtë për të treguar se sa vlejnë në garën për titull.
Përpara i presin katër përballje të vështirë, duke nisur nga dueli i dy ditëve më vonë kundër Vllaznisë. Ndërkohë rivalët e tjerë do të jenë përkatësisht, Dinamo, Kukësi dhe më pas Tirana. Laçi mat kështu forcat me kundërshtarë të drejtpërdrejtë, por këtë herë muzikën në fushën e lojës i duhet ta luajnë pa dirigjentin Lushkja.
Futbollisti 25-vjeçar ishte një nga pikat kyçe të formacionit të Josës, ku me cilësitë e tij dinte si të ndihmonte ekipin të merrte më të mirën brenda 90 minutave. Transferimi i tij te kampionët e Moldavisë ka lënë një boshllëk të madh në mesfushën e Laçit, ndërsa Josa duhet të arnojë sa më parë këtë repart, pasi kalendari nuk është shumë bujar me ta./Sport Ekspres/