Karlos Henrike Raposo është tani 55 vjeç dhe nuk dihet realisht çfarë bën në jetë, por me siguri ka histori pa fund për të treguar nga jeta e tij si futbollist i madh, pa luajtur asnjëherë realisht futboll!
Si është e mundur? Është një histori shumë e gjatë, por sulmuesi brazilian, i cili mori nofkën “Kaiser” sepse ngjante me Franc Bekenbauer, ka pasur një karrierë mbushur me klube të mëdhenj, të cilët i ka mashtruar të gjithë.
E tentoi karrierën e futbollistit dhe kur ishte në moshë të re ishte pjesë e Botafogos e më pas Flamengos, derisa e pikasi rastësisht klubi meksikan Puebla, që e pëlqeu kur e ka në një seancë stërvitore.
Në Meksikë qëndroi pak muaj dhe u largua pa luajtur futboll, por e kuptoi që nuk ishte për atë. Atëherë vendosi të aktronte si futbollist dhe shpiku lloj-lloj mënyrash për të mashtruar presidentë e menaxherë.
Herë kishte rekomandime nga futbollistë të njohur, herë përdorte celular fals për të biseduar në gjuhë të huaj, pa ditur realisht asnjë gjuhë të huaj, e herë përfitonte nga miqësia me gazetarë sportivë, që shkruanin histori filmash për të, si një futbollist i cili në Meksikë ishte një hero kombëtar dhe në Francë kishte shënuar gola pa fund, kur shkoi pak muaj te Gazelek Azhakso.
Ndërkohë, mashtrimi ishte i njëjtë: firmë në kontratë, pak javë stërvitje për të kapur formën dhe më pas dëmtim, duke mos debutuar fare. Merrte paratë qyl dhe ikte kur ia kuptonin dredhinë. Ishte kohë tjetër, media dhe interneti nuk ekzistonin si tani, ndërsa shumë menaxherë, drejtues e lojtarë të njohur në Rio mbanin lojën e Kaiserit fals, pasi ky i fundit kishte një lokal nate dhe u siguronte prostituta.
Jeta e çmendur e Kaiserit tashmë është bërë libër dhe gjithashtu një film-dokumentar që ka dal në qarkullim këto ditë: “Kaiser! The Greatest Footballer Never to Play Football”, Futbollisti më i madh që nuk ka luajtur ndonjëherë futboll.
Në film kanë marrë pjesë me role të vogla edhe ish-futbollistë legjendarë, mes të cilëve Bebeto. Mos e humbni!