Ergys Kaçe rilindi në Athinë këtë pranverë, duke luajtur në huazim te Panathinaikosi, ku e nisi 10 herë nga minuta e parë dhe rendimenti i tij u pëlqye shumë. Mesfushori shqiptar ishte në huazim nga PAOK-u, që i bëri nder si Kaçes, ashtu edhe Panathinaikosit, klub në vështirësi të mëdha financiare.
Tani Panathinaikosi është në procesin e ndryshimit të pronësisë dhe investitorët e rinj duken shumë seriozë, ndaj klubi ka nisur revolucionin.
Drejtor teknik është emëruar një ish-futbollist i njohur, Nikos Dabizas, ndërsa trajner është emëruar një njohje e vjetër e Ergys Kaçes, Jorgos Donis. Pikërisht 48-vjeçari e ka ndihmuar shumë Kaçen në formimin e tij si futbollist te PAOK-u dhe sërish Donis e kërkoi me ngulm në Qipro këtë janar, kur drejtonte APOEL-in (Kaçe shkoi në Nikozi, por u largua nga trazirat e tifozëve qipriotë, për shkak të fotos me flamurin e UÇK-së).
Tani Donis mer drejtimin e Panathinaikosit dhe ka kërkuar që klubi të mbajë patjetër Kaçen. Dabizas ka nisur bisedimet me PAOK-un, duke kërkuar rinovim huazimi, por gjithçka ka ngecur te paga e lojtarit 24-vjeçar.
Kaçe merr 350 mijë euro në vit dhe Dabizas ka propozuar që Panatha të paguajë 200,000, ndërsa pjesën tjetër ta paguajë PAOK, por klubi nga Selaniku nuk është dakord dhe kërkon që Panathinaikosi të paguajë më shumë. Natyrisht, Dabizas ka kërkuar kohë, por gjithçka do të mbyllet me sukses ndoshta që sot, aq më shumë që edhe Kaçe dëshiron të qëndrojë te Panathinaikosi, pasi po luan dhe është i qetë, çka e ndihmon shumë dhe në vjeshtë me shumë gjasa Panuçi do të detyrohet të kthejë sytë nga ai, në një moment krize të thellë te Shqipëria.