Kastrioti është e vetmja skuadër në grupin A, që në javën e parë të kampionatit ka marrë tri pikë të plota në transfertë duke treguar se do të jetë padyshim skuadra që do të kërkojë Superioren. Ndonëse është një ekip që në merkaton e verës ka bërë mjaft afrime, krutanët që në ndeshjen e parë treguan “dhëmbët”, në një transfertë delikate si ajo me Burrelin.
Në takimin e parë të kampionatit, ndaj skuadrës së Burrelit, krutanët fituan 2-0, dhe të dy sulmuesit e Kastriotit arritën të shënonin nga një gol. Ndonëse nigeriani Nifemu Kabiru Dumoje e shënoi atë nga pika e bardhë, ai është i lumtur për golin, por edhe i bindur se në ndeshjet e ardhshme do të jenë më të fortë si skuadër. Edhe pse ende herët, nigeriani i cili ka shkëlqyer edhe sezonin e shkuar në Krujë, premton në vijim “një thes” me gola, duke synuar jo vetëm Superioren, por edhe trofeun e golashënuesit. Kujtojmë, që në miqësoret e verës, sulmuesi nga Nigeria ka qenë mjaft aktiv, duke luajtur rregullisht, por edhe duke spikatur si shënues.
KABIRU – “Jam i lumtur që fituam, sepse tre pikët ishin shumë të rëndësishme për ne. Gjithashtu, jam shumë i lumtur që shënova dhe falënderoj shokët e skuadrës që patën besim tek unë, duke më lejuar të gjuaj penalltinë. Në çdo ndeshje do të luajmë vetëm për fitore, sepse vetë objektivi që ne kemi nuk na lejon që të bëjmë hapa false. Nuk ka ndeshje të lehta, do t’i marrim një nga një ndeshjet, pa nënvlerësuar askënd. Natyrisht, unë dua të shënoj në çdo ndeshje, sepse këtë sezon krahas ngjitjes së skuadrës në Superiore, dua të fitoj edhe garën për golashënuesin më të mirë të sezonit në Kategorinë e Parë”, – deklaroi Kabiru Dumoje, enkas për “Sport Ekspres”.