Sezoni i ardhshëm Serie A do të ketë në gjirin e saj një tjetër lojtar shqiptar. Bëhet fjalë për Nedim Bajramin, i cili ka shkëlqyer në radhët e Empolit. Fantazisti 22-vjeçar është një prej elementeve që ka rënë në sy me lojën, golat dhe asistet e tij, duke u dalluar kështu në Serie B.
Emrin e tij e veçon edhe trajneri i Rexhinës, i cili në një intervistë për “Guerin Sportivo” shprehet se disa lojtarë të këtij sezoni janë të destinuar për të zbarkuar përgjithnjë në elitën e futbollit italan. Ndër emrat e përmendur figuron edhe ai i Nedim Bajramit.
“Lojtarët e rinj? Ka shumë interesantë të destinuar të zbarkojnë përgjithmonë në Serie A. Unë jam duke menduar për Folorounsho tonë dhe Dalle Mura, por edhe Okoli, Rodriguez, Johnsen, Bajrami, Bellanova dhe Gaetano”, ka thënë Marko Baroni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/