Pak më shumë se një muaj na ndan nga fillimi i një prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit, Kampionatit Europian. Shqipëria do ta nisë përvojën e saj në Euro 2024 me Italinë, më datë 15 qershor. Axurrëve u mungojnë emrat e mëdhenj në skuadër dhe në Gjermani pritet të kenë në përbërje mjaft lojtarë të rinj.
Një prej lojtarëve italianë më në formë është Xhanluka Skamaka. Sulmuesi 25-vjeçar mund të jetë “arma” e Italisë në këtë Europian, duke qenë se në 14 ndeshjet e fundit, ka shënuar plot 10 gola. Një lojtar me mjaft potencial, që mori edhe komplimentat e Jurgen Klopit pas golave që i shënoi në “Enfild”.
Por Skamaka nuk është një emër i panjohur për futbollistët e Kombëtares sonë. Përpos faktit që disa prej tyre janë përballur me të në Serinë A, futbollisti italian luan në të njëjtin ekip me kapitenin e kuqezinjve, me Atalantën. Gjimshiti i njeh më mirë se kushdo aftësitë e tij, por nga ana tjetër është ai që di më së miri edhe pikat e dobëta të Skamakës. Një duel i heshtur i pret në Gjermani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/