Ditën e sotme janë luajtur të gjithë ndeshjet e javës së 30 të Kategorisë Superiore. Kukësi humbet përsëri, por këtë herë ndaj Teutës me rezultatin 0-2, që i jep ekipit të Martinit kreun e Superiores. Ndërkohë Laçi-Partizani janë ndarë në barazim 2-2, ndërsa Tirana ka mposhtur Vllazninë 1-0 në “Selman Stërmasi“. Në përfundim të takimeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas goli” në “Supersport”.
Brdariç (Vllaznia): “Unë e kuptoj më mirë se të tjerët këtë rezultat se jam trajneri. Nuk ishte ditë me fat për Vllazninë. Provuam me të gjitha mënyrat që ta fitonim. Kishim 3-4 shanse për të shënuar. Gjithmonë duhet të dimë se në futboll ka një Zot që ndonjëherë është për ty dhe ndonjëherë për mua. Sot nuk ishte për ne. Ne do të kthehemi në ndeshjen tjetër për të fituar dhe do të ecim përpara. Morali te ne është shumë i mirë dhe nuk duhet të harrojmë se çfarë ka ndodhur përgjatë kësaj rruge. Unë jam trajner që mbaj moralin dhe kur ekipi ka nevojë”.
Duro (Laçi): “Goli ishte aksidental. Pastaj në golin e dytë kemi toleruar shumë me mbulimin e Asanit. Kemi bërë ne gabime që ka shënuar Partizani. Ka pasur edhe shumë anë të mira kjo ndeshje, ishim shumë agresiv. Goditja ndaj kolegut? Nuk e kam parë ngjarjen se u futa direkt në dhomat e zhveshjes. Titulli? Nuk e kemi pasur kurrë grupin e plotë. Kjo ka qenë e gjitha dhe do të shohim deri në fund sesi do të shkojmë”.
Josa (Kukësi): “Kukësi ka cilësi? Thoni ju, se cilësi ka kur tundet rrjeta kundërshtare. Përpjekjet tona ndalen në momentin kur pësojmë golin, kur në fakt duhet të jenë e kundërta, që të shtohen më tepër. Problemi ynë është personaliteti që ne nuk e kemi si skuadër. Edhe kur kemi topin në këmbë ne bëjmë gabime elementare. Nuk kemi durim në qarkullimin e topit në mbrojtje. E nëse keni parasysh golin e parë është pasqyrë e gjithë kësaj”./Sport Ekspres/