“Ka lënë ndeshje për miqësi, jo për lek“, Kola vë dorën në zjarr: Riti nuk shet ndeshje, ua them me emra lojtarët protagonistë

Tirana është përfshirë në një situatë të pakëndshme, teksa dyshohet për trukim ndeshje ndaj Bylisit. E ç’është më e keqja, të gjitha këto akuza vijnë pas një ecurie fantastike nën drejtimin e Egbosë, ku fitoret kanë pasuar njëra-tjetrën për një kohë të gjatë. Vetë Refik Halili do të shprehte gatishmërinë e tij për t’u hetuar, duke hedhur poshtë gjithë pretendimet për një trukim të takimit nga ana e tij.

Në të njëjtin mendim është edhe një prej ikonave bardheblu, Agustin Kola. Ky i fundit ka folur për “ABC Neës”, ku shprehet se presidenti Halili kurrë nuk shet ndeshje, madje shton se Tirana ka qenë gjithnjë në qendër të sulmeve. Titulli për të është një çështje e mbyllur dhe sheh bardheblutë si fitues të trofeut. Meritë të madhe këtu i jep Egbosë, të cilin e këshillon të mos merret me rracizmin por vetëm me ekipin e tij.

“Mua më vjen keq për disa… Riti asnjëherë nuk shet ndeshje. E kam thënë dhe them. Më vjen keq për të dhe iu them të mos merret me ambientin jashtë, mos të merret me këta që flasin. Kështu e kanë sulmuar edhe në kohën tonë Tiranën, me gjëra të tjera. Tani e sulmojnë me këto. Për Tiranën i vë duart në zjarr. Tirana ka lënë ndeshje për miqësi, por jo për lek.

Futbolli ynë, nga viti 90 e këtej ka pasur shumë probleme. Kanë qenë protagonistë shumë lojtarë që sot dalin e flasin nëpër media. Le t’i bien troç. Ua them edhe me emra. Le të ulen të flasin me mua, Dabulla, Patushi apo edhe të tjerë.

Tiranën e shoh kampion, nuk është turp të të mundë Kukësi. Ata kanë një ekip perfekt. Shoh që njerëzit folin për atë që ndodhi me Bylisin dhe thonë që ‘jo Tirana nuk merr kampionatin, jo Tirana kështu, jo Tirana ashtu’. Tirana ka një ekip në ngritje. Derbi është derbi. Kur kemi qenë ne mirë, na kanë mundur ata. Ka ndodhur edhe e kundërta.

Egbo ka merita, por të mos merret me racizmin. Unë kam luajtur vetë te Tirana dhe Egbo e di. Tiranasit janë një çik racistë, edhe sot më thonë malok. Babai më ka lindur këtu, sikurse edhe të tjerët. Prandaj mos të merret me këto punë, por të merret me ekipin”, ka deklaruar Agustin Kola./Halit Delibashi-Sprot Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *