“Ka gjithmonë një herë të parë”! Eno Skarço flet në “Sport Ekspres”: Shqipëria duhet të tentoj vendin e parë në grup, është koha për të guxuar

Shqipëria do të luajë kundër Çekisë në transfertë në mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë kërkojnë që të dalin me pikë nga kjo përballje, që do të mbante ende ndezur ëndrrat për kalimin në Europian. “Sport Ekspres” ka intervistuar gazetarin e njohur, Eno Skarço, për të marrë edhe mendimet e tij rreth kësaj përballje.

“Shqetësimi i Silvinjos ishte i drejtë, duhet të kemi kujdes nga goditjet standarte. Por në futboll nuk fiton gjithmonë shtatlartësia, përkundrazi. Në rregull, mund të jap avantazh nga goditjet e këndit, në atë standarte, por në të kaluarën ne kemi treguar se mund ta evitojmë rrezikun me kundërshtarë të tillë. Ne nuk penalizohemi nga shtatlartësia, penalizohemi nga gabime individuale.

Besoj shumë se Shqipëria ka mundësi të marrë një rezultat më të mirë se barazimi në Pragë. Jo se çekëve i mungon Schik, nga ana tjetër ne na mungon Broja mos harroni. Por mënyra sesi ekipi është shprehur me Silvinjon tregon ndryshimin tonë. Nëse evitojmë gabimet individuale, unë shoh fitore në Pragë”, thotë Eno.

Sa herë që Shqipëria luan përballje të tilla, gjithmonë zhgënjehet. A ka ardhur koha që kjo situatë të ndryshojë? Skarço shprehet: “Ka gjithmonë një herë të parë”. Po sipas tij, Kombëtarja duhet të guxojë dhe të tentojë vendin e parë në grup, lufta për vendin e dytë është si të luftosh në një ndeshje ku fati i saj dihet përpara kohe.

“Sepse ka gjithmonë një herë të parë. Kështu flitej edhe për Manchester City, se nuk ka eksperiencë për të fituar Champions League, por arriti ta fitonte dhe tregoi se e ka një herë të parë. Ndoshta krahasimi nuk është ideali, por mjafton për të kuptuar se ka një herë të parë dhe nuk vendos vetëm e shkuara. Unë nuk do t’i futesha llogarive, që të sakrifikojmë Cekinë për Poloninë. Nëse e mendojmë kështu, atëherë dalim me dy humbje dhe mbyllet këtu gjithçka. Nuk jemi ne Kombëtarja që e ka aftësinë për të bërë ndarjen dhe shpenzimin e energjive, se ku do të shpenzojmë më pak dhe ku më shumë, ne duhet të futemi për të dhënë maksimumin. Moldavia mundi Poloninë, Polonia u mund nga Cekia dhe Moldavia barazoi me Cekinë. Pra, surprizat janë pas dere.

Dëshira ime është që të dalim me 6 pikë nga këto 2 ndeshje, por do të firmosja për 4 pikë. Besoj shumë se Uzuni dhe Bajrami mund të bëjnë diferencën, megjithëse nuk dihet ende formacioni Silvinjo mund të befasojë në emra. Për mua është mirë që Shqipëria të ketë një guxim të tepruar se ndjenjë inferioriteti. Lojtarët tanë janë pjesë e klubeve më të njohura në Europë, madje në disa raste edhe në ekipe më të mira se çekët. Për mua duhet të tentohet vendi i parë në grup. Kjo e luftës për vend të dytë më duket si nga ato ndeshje ku ti futesh në fushë për barazim, pëson një gol në fund dhe eliminohesh. Ne duhet të shkojmë në Pragë për të fituar dhe nëse kjo ndodh, atëherë e pret Poloninë me tjetër moral, tjetër atmosferë, në futboll janë të lidhura gjërat”, përfundon Skarço. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *