Shqipëria ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve. Dy transferta presin kuqezinjtë, njëra në Kazakistan më 11 tetor dhe tjetra në Lituani më datën 14 tetor. Një frymë e re është sjellë nga trajneri Reja për këto dy sfida, ku si kurrë më parë djem të rinj të moshave 18 apo 20 vjeç e shohin veten në Kombëtaren A.
I kushtëzuar edhe nga pandemia, por gjithashtu edhe nga dëmtimet apo lënia jashtë e 5 prej lojtarëve veteranë të kuqezinjve, në Kazakistan pritet të shohim edhe debutime nga minuta e parë për disa prej emrave që të gjithë presin me kureshtje të shohin se çfarë mund të prodhojnë në fushën e lojës.
Në portë me shumë mundësi vendin do e marrë Etrit Berisha, pavarësisht se shpesh jemi mësuar të shohim Strakoshën mes shtyllave. Portieri i Lacios kishte disa shqetësime fizike dhe kjo do i hapë rrugën gardianit të Spalit në katërkëndëshin e kuqezinjve. Ndërkohë 3-shja e mbrojtjes pritet të rezervojë edhe surprizën e madhe. Kumbulla nga minuta e parë së bashku me Dërmakun e Gjimshitin. Një prapavijë “made in Serie A“, që është e mbushur me siguri dhe cilësi që garantojnë shumë.
Risitë nuk mungojnë as në mesfushë. Dy ish- të Superiores do të mbulojnë krahët e Shqipërisë, Trashi në të majtë, megjithëse në balotazh me Lenjanin, ndërsa në të djathtë Albi Doka. Një debutim ky për talentin bardheblu që shkëlqeu me aventurën e parë jashtë kampionatit shqiptar. Gol dhe asist erdhën nga këmbët e tij me Goricën, duke bërë që të shpresohet shumë prej tij edhe në fazën sulmuese, për të zëvendësuar sa më mirë kështu mungesën e kapitenit Hysaj.
Ndërkaq, Abrashi me Baren do të hyjnë në fushë nga minuta e parë, ndërsa 5-shja e mesfushës do të kompletohet me një tjetër talent që shkel për herë të parë tapetin e gjelbër me fanellën kuqezi. Sherif Kallaku është një nga ata “fantazistë” që Shqipëria kurrë nuk e ka patur. Pasimet e tij janë thjesht fantastike dhe mund të dhurojë asist edhe atëherë kur hapësirat duket sikur nuk ekzistojnë. Pikërisht kjo është ajo çfarë i duhet Kombëtares sonë, për të ndihmuar sa më shumë dyshen e sulmit Manaj-Broja.
Manaj duket se e ka siguruar vendin e tij në formacion prej një kohe të gjatë ndërsa partner këtë herë me shumë ngjasa do të ketë një 19-vjeçar si Armando Broja. Një prodhim i Chelsea-t në Premier League që ka treguar edhe në ato pak minuta kur është aktivizuar se di fare mirë si të bëhet një makth për mbrojtjen kundërhtare. Alternativat në majën e sulmit janë të pakta, prandaj prezenca e tij nga minuta e parë nuk do të jetë aspak një çudi. Një formacion si asnjëherë më parë për Shqipërinë, që këtë herë zgjedh t’i falet talentit dhe pasionit të zjarrtë të të rinjve para eksperiencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/